Munishi pas fitores bindëse: Më ka befasuar me lojë të mirë Besa
Gjilani ka shënuar fitore bindëse ndaj Besës së Pejës me rezultat 5:1 në kuadër të javës së 27-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Pas ndeshjes, trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi u tregua i kënaqur me lojën e ekipit të tij, teksa vlerësoi edhe lojën e Besës.
“Me të vërtet më ka befasuar me lojë të mirë Besa edhe sot edhe gjatë kampionatit. Rezultati nuk është në raport me atë që është treguar në fushë. Kemi një grup futbollistësh që kanë karrierë të mirë”, tha trajneri i Gjilanit.
Munishi nuk mundi të zgjedh golin më të bukur të shënuar sot, por u shpreh i kënaqur që shumë futbollistë arritën të zhbllokoheshin.
“Po, është e vërtet që të gjithë golat ishin të bukur nuk do ta veçoj asnjë. Më vjen mirë që arritëm të shënojmë shumë gola, e arritën të zhbllokohen shumë futbollistë”, tha Munishi.
Me këtë fitore, Gjilani shkon në kuotën e 40 pikëve në vendin e tretë, kurse Besa mbetet e fundit me 10 pikë.