Mungojnë dy të akuzuar, dështon të nisë gjykimi për kanosjen e deputetes Blerta Deliu-Kodra

Mungojnë dy të akuzuar, dështon të nisë gjykimi për kanosjen e deputetes Blerta Deliu-Kodra

Mungesa e dy të akuzuarve Blend Mjaku dhe Mirand Terzija u bë shkak që të shtyhet seanca fillestare në rastin ku të njëjtit së bashku me Ergim Qorollin po akuzohen për kanosjen e deputetes nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra.

Mjaku, Terzija dhe Qorolli akuzohen se deputeten Deliu-Kodra e kanë kanosur përmes rrjetit social “Facebook” me fjalë të ndryshme, ndër to sipas aktakuzës deputetja u kanos edhe me fjalët “…kisha pre për zgjalli tkisha gri”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për mungesën e të akuzuarit Mjaku, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj tha se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, e megjithatë ai nuk u paraqit në këtë seancë. Për Mjakun, ai tha se gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.

Ndërsa, lidhur me mungesën e të akuzuarit Terzija, gjykatësi Sadikaj ka thënë se nga fletëkthesa e kthyer në Gjykatë rezulton se i njëjti gjendet jashtë vendit. Për të, tha se do të lëshohet urdhëresë për verifikim adrese.

Po ashtu, në këtë seancë mungoi edhe e dëmtuara Deliu-Kodra, për të cilën gjykatësi Sadikaj bëri të ditur se është ftuar përmes telefonit por nuk ka pasur mundësi që të paraqitet në gjykatë.

Ndërkaq, të pranishëm ishin vetëm prokurori Ali Ajdini dhe i akuzuari Qorolli.

Andaj, në këto rrethana seanca fillestare e paraparë për të martën ka dështuar të mbahet.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 7 shtator 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Ergim Qorolli, Blend Mjaku dhe Mirand Terzija po akuzohen se më 19 nëntor 2021, pas një seance të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me dashje dhe seriozisht e kanë kanosur deputeten Blerta Deliu-Kodra.

Aktakuza thotë se kanosjen ndaj Deliu-Kodrës, të akuzuarit e kishin bërë përmes rrjetit social “Facebook”, ashtu që i akuzuari Qorolli i ishte drejtuar me fjalët: “gjakin bre ta q…, robt bre ti q…,krejt ata të gjall e ata më të afrmit ti q…, bre kën e nanës ta q…, zoti shpirtin ta marrt qysh o mas keqi bre ken e serbis ta q…”.

Ndërsa, i akuzuari Mjaku në akuzë thuhet se ishte drejtuar me fjalët: “krejt sha ki ti q…, dekmit ti kisha q.., edhe ti q., kisha pre për zgjalli tkisha gri”, kurse i akuzuari Terzija kishte shkruar fjalët: “krejt robt ti q… ha, qysh UQK terroristë ti q… gjakin e nanës ta q…k***en e dreqit, ta q… shkinën e nanës ho oj shkin ti q… tdekmit n loqk”, me çka tek tek e dëmtuara-deputetja Deliu-Kodra është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë.

Me këto veprime Qorolli, Mjaku dhe Terzija po akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Shpërndaje në: