“Mund te rikthehet ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë”
Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare amerikane, John Bolton, në një intervistë për TëVë1 ka paralajmëruar se me ardhjen e Donald Trump në pushtet mund të rikthehet opsioni për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Diplomati amerikan tregon se këtë ide ia kishte prezantuar ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair.
Gjatë administratës së parë të Donald Trump është folur shumë për mundësinë e “korrigjimit të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një moment të hapur për këtë opsion si zgjidhje përfundimtare në mes të dyja shteteve ishin edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
E se si erdhën deri kjo ide për “korrigjim te kufijve”, rrëfen për tëvë1 ish-këshilltari i sigurisë kombëtare amerikane, John Bolton.
“Idenë e një shkëmbimi territorial mes Kosovës dhe Serbisë ma sugjeroi fillimisht ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair. Më pas për këtë çështje unë fola me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Unë mendova se ky opsion ishte në interesin e stabilitetit në Ballkan për të gjetur një zgjidhje për konfliktet e papërfunduara”, thotë ai.
Pas fitores në zgjedhjet e 5 nëntorit, Donald Trump do të udhëheqë sërish si president me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas këtyre zhvillimeve, Bolton nuk e përjashton mundësinë që ideja e shkëmbimit të territoreve të kthehet sërish në tavolinën e bisedimeve.