Mund të mbetemi të vetë-izoluar edhe shumë kohë pas zhdukjes së Koronavirusit
Ra ky koronavirus e u pamë. U pamë në pasqyrë tonë të errët kolektive. Domethënë, mësuam se këta jemi ne. Domethënë, mësuam se kështu jemi ne. Mësuam se gjendja e vetë-izolimit është gjendja jonë më e rehatshme.
Për disa ditë rresht, para të premtes kur u konfirmuan të infektuarit e parë me koronavirus, në redaksinë e Periskopit mbërrinin informacione të rreme nga njerëz të rritur por të papërgjegjshëm. Të enjten na u tha se ishin tre të infektuar, të mërkurën na u tha se ishin katër ndërsa të martën na u tha se ishte një. Të gjitha i shpërfillëm duke e ditur paraprakisht se nuk mund të ishin të vërteta. Por, një pyetje u ngrit nga krejt këto rrena: pse kishin rënë në atë derexhe këta njerëz të rritur?
Paniku veçse ishte i madh edhe para konfirmimit të rasteve. Por, ditët po kalonin dhe Kosova nuk po prekej nga Koronavirusi duke ia humbur këtij paniku dalëngadalë legjitimitetin. Turli budalle ia mësyu Infektivës për t’u kontrollaur se mos ishte infektuar me koronavirus dhe më pas kur u testua negativisht i shau të gjithë mjekët. Turli budalle e lidhi kuptimin e jetës së tij me koronavirusin. Për të gjithë gazetarët që i kishin këto burime të rreme, ma merr mendja se u vizatua qartë dëshira meskine që dikush të prekej, që dikush të infektohej prej tij.
Mendoj që ekziston një farë metafizike brenda kësaj dëshire meskine për legjitimim paniku: rikthimi/përligjja e normalitetit tonë. Ta marrim Kanunin e Lekë Dukagjinit: nëse e lexojmë me kujdes vërejmë që kemi të bëjmë me një vetë-izolim të obliguar. Ai nuk linte kurrfarë hapësire për zhvillim të tipeve të kulturës, kurrfarë hapësire për zhvillim shoqëror. Shtëpia e familja bëheshin qendra e universit – madje në përmasa të tilla sa nuk besoj që mund të haset në ndonjë kulturë tjetër.
Dhe, ende kështu jetojnë shumica e familjeve kosovare edhe sot. Shumica e të rinjve kosovarë jetojnë ende me prindërit e tyre, edhe në fund të të njëzetave, bile edhe në të tridhjetat. Një pjesë e tyre nuk kanë faj për shkak të pamundësisë financiare, por megjithatë pjesa tjetër që i ka këto mundësi financiare është një shembull i qartë i këtij vetë-izolimi gjithëprezent mes nesh.
Vetë-izolimi pra nuk është lloj jetese e imponuar shkaku i frikës nga Koronavirusi. Vetë-izolimi është formati i zakontë i jetës që bëjnë shumica e familjeve në Kosovë. Dhe këtu na futet paniku nga Koronavirusi si një legjitimues i këtij formati jete, sepse në anën tjetër kemi edhe vlerat progresive që na kërkojnë të jetojmë tjetërqysh, jo më si robët e përshkruar nga Kanuni por si diçka më shumë. Dhe ndjesia e fajit, të paktën për aq kohë sa jemi në vetë-izolimin e Koronavirusit dhe jo në atë të zakontin, nuk na bren.
Por, vetëizolimi na e tregon edhe një gjë tjetër: ngushtësinë e lirisë tonë. Del se liria jonë, ashtu siç e kam thënë në një shkrim tjetër, nuk konceptohet më shumë se të sillesh poshtë-e-përpjetë. Liria jonë janë kafenetë, tavernat, baret dhe restorantet. E këtë na e tregojnë edhe këto dy ditë në të cilat hoqëm dorë kolektivisht edhe që qoftë të shëtiteshin nëpër rrugët e qytetit pa pasur nevojë.
Prandaj, mund të përfundojmë se koronavirusi nuk mund ta gjunjëzojë një popull me përvojë shekullore në robëri. Nuk mund ta gjunjëzojë një popull që gjendje normale e ka robërinë. Që shumicën e njerëzve i ka robër. Koronavirusi mund t’i gjunjëzojë vetëm popujt e lirë si Kina e Italia.
Përtej kësaj shakaje të thënë dhimbshëm, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë të qartë se duhet të ndihmojë të rinjtë dhe të rejat e Kosovës që të pavarësohen – ashtu siç ishte premtimi elektoral. Sepse, koronavirusi do të shkojë por vetë-izolimi do të mbetet.