A mund ta fitojë Unikkatili Nobelin para Ismail Kadaresë?

Megjithatë, kthehemi te Barbara Streisand: A ka një këngë të Unikkatilit që na ka bërë ta ngrisim zërin në dhimbje? E në pasion? Po në protesta?

Dafina Demaku Op-Ed

Këngëtarja, tekst-shkruesja, aktorja dhe regjisorja Barbara Streisand, në vitin 2003 ishte ftuar të jepte një çmin Oscar. Çmimi ishte për këngën origjinale më të mirë. Këtë çmim, atë vit e fiton Eminem, me këngën ‘Lose Yourself’.

‘Këngët na lejojnë ta ngrisim zërin në dhimbje, në pasion dhe në protesta. Jam e lumtur që jetoj në një vend që lejon qytetarët e saj, përfshirë artistët, të këndojnë çka duan dhe të thonë çka duan. Jemi këtu për të festuar artistët për këngët më të mira’, kishte deklaruar Stresand, para se të thoshte se Eminem kishte fituar këtë Oscar. Për Eminemin, s’do fjalë. Tekstet e tij janë krahasuar me një stil të të shkruarit si Shekspiri. Për ndikimin, çka të flitet? Ju mjafton një kërkim i thjesht në Google që të njoftoheni me të dhe ndikimin e këngëve të tij.

Nobeli i sivjetmë për Letërsi që iu dha Bob Dylanit, ngjalli kritika të shumta. Mahniti botën. Para se gjithash, Nobeli iu dha një këngëtari. Tek e fundit, askush nga ne, pavarësisht sa: shumë, pak…e kemi njohur Dylanin si këngëtar.

‘Njoftoni shkrimtarët se duhet ta mësojnë kitarën’, ishte një titull në një media prestigjioze. Po edhe në vetë arsyetimin për këtë çmimin, Akademia Suedeze iu referua diçka sikur ‘Dylan ka arritur të krijojë shprehje të reja poetike në traditën e muzikës amerikane’.

Pra Nobeli i sivjetmë në Letërsi, na tregoi se më nuk ka rëndësi se në sa gjuhë është përkthyer vepra jote. Nuk ka rëndësi a është ‘implementuar’ vepra jote poetike apo letrare në përgjithësi, në teatër, muzikë, ndoshta nesër në film.

Ka rëndësi ‘shprehja poetike’ që arrin ‘ta krijosh në traditën’ e muzikës, kulturës së vendit.

Po të supozonim një këngëtar, i cili do të mund të ishte pretendent një ditë për çmim Oscar për këngën më të mirë, nga shqiptarët, na del Unikkatil. Po të supozonim një ‘poet’ që ka arritur të krijojë ‘shprehje të reja në muzikën shqiptare’ na del Unikkatil. Pavarësisht se s’ka ndonjë vlerë letrare, është Unikkatili i vetmi që ia ka krijuar një tekst instrumentalin popullor të ‘Shotës’.

Më ka rastisur të shoh disa informata ku gjoja Kadare e paska pas cilësuar Unikkatilin si një ‘poet të mirë’. Nuk e di sa është e vërtetë. Unikkatil dhe Kadare pas vetes e kanë masën. Nëse pyesni një të ri shqiptar se cilin këngëtar e mbani mend për tekste interesante, të mira…do iu thotë: Unikkatil. Nëse pyesni çdo shqiptar cilin shkrimtar e mbani mend për letërsi, do iu përgjigjet Ismail Kadare.

E përbashkëta e Kadaresë dhe Unikkatilit, është se të dy, në tekstet e tyre (që te Kadareja, fillimisht e përmendi Kimete Berisha) pra se mbledhin të metat e popullit të tyre për të krijuar art. Megjithatë, Dylan s’paska pas mbledhur të metat e popullit, po dhimbjet e tij për të krijuar art.

“Sa keqkuptime të vogla, kanë bo sherre të mëdhaja, hahen fmija tuj lu gogla, poj t’myten si gjaja”, thotë Unikkatil në një këngë, teksa përshkruan diçka për popullin shqiptar.

Pikë tjetër që i bashkon Unikkatilin dhe Ismail Kadare është feja. Që të dy janë pishtarë të fesë së krishterë në rrafshet e tyre artistike dhe kanë tendenca të ngrisin në piedestal këtë fe nëpër krijimtarinë e tyre, si një fe autoktone e shqiptarëve, të cilën në fund, tentojnë edhe t’ia prezantojnë botës si vlerë të popullit.

Megjithatë, kthehemi te Barbara Streisand: A ka një këngë të Unikkatilit që na ka bërë ta ngrisim zërin në dhimbje? E në pasion? Po në protesta?

Ama meqenëse Dylan qenka vlerësuar për ‘shprehje të reja poetike në traditën e muzikës amerikane’, po të kishte një këshilltar shqiptar, a analist, linguist, a çka po di çka duhet të ketë pranë Akademisë Suedeze, mendoj se një ditë Nobel do të fitonte edhe Unikkatili.

Meqenëse veç hyni fitili këndej.

 

 

Shpërndaje në: