Muharremi: Sulmi i RTK-së ndaj dy mediave është i rrezikshëm, duhet hetim
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër për sulmin e deputetëve të pushtetit dhe RTK-së ndaj Periskopit dhe Nacionales.
Ai ka thënë se RTK-ja duhet të zhvillojë hetim se kush i ka publikuar informacionet se këto dy media financohen nga Vuçiqi.
Postimi:
Sulmi brutal i RTK-së ndaj dy mediumeve kishte me qenë qesharak mos të kishte qenë i rrezikshëm për demokracinë e re. Akuza të tilla ndoshta edhe kishin mund të priteshin nga ndonjë medium kontravers pa adresë, por një institucion publik si RTK kjo nuk duhej të ndodhte. Së paku jo pa e verifikuar mirë informacionin dhe pa i pyetur mediumet në fjalë për reagimet e tyre.
Reputacioni i radiotelevizionit publik është dëmtuar seriozisht dje dhe kjo nuk duhet të mbetet dicka pa u adresuar dhe sqaruar. Për fillim, një hetim i brendshëm (i pavarur nëse nuk ka kushte apo kapacitete dhe kredibilitet për të brendshëm) kishte me qenë i mirëseardhur, kjo për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe kush e ka publikuar dhe kush e ka aprovuar apo kontrolluar informacionin.
Raporti i hetimit i cili duhet të jetë publik, do të ishte një ndihmesë edhe për shumicën absolute të personelit të RTK që janë profesionistë dhe kredibil. Nëse, siç po duket, ka pasur shkelje profesionale dhe etike, atëherë edhe masa ndaj individëve relevant duhet të merren dhe të mësohen mësimet që mos të përsëritet diçka e tillë.
Më mirë të identifikohen defektet sesa të njolloset një investim publik i një qerek shekulli. E nëse vërtetohen që ka pasur shkelje dhe RTK nuk ka vepruar në bazë të parimeve profesionale, atëherë edhe kërkimfalje ndaj mediumeve në fjalë do e ndihonte daljen nga situata e keqe.
Por nëse RTK nuk ndërmerr asgjë, atëherë ky mund të jetë fillimi i një situate të re jo vetëm ne media por edhe në Kosovës ku haptas një institucion publik sulmon mediumet opozitare për interesa të pushtetit. E kur kjo të pranohet si fakt dhe modus operadi, atëherë RTK mund të sulmoj gjithkënd. Rrjedhimisht, RTK do të vdiste dhe të gjitha investimet publike do të dështonin, se misioni i saj do të kompromitohej.
E panevojshme të përsëritet, reputacioni i RTK është më i rëndësishëm sesa secili individid aty apo grupe të caktuara të interestit. Më i rëndësishëm sesa secili pushtet. Pushtetet shkojnë e vijnë, interesi i publikut, kredibiliteti i RTK nuk duhet të cenohet asnjëherë. Përatë, RTK ka vetëm një rrugë për të përmbushur misionin dhe obiligimet e saja: respektimi i parimeve profesionale.
Përderisa ky medium operon në parime, nuk do të ketë rrezik, por kur futet në avantura dhe joshet apo ndikohet nga pushtetet, atëherë ajo rrezikon seriozisht reputacionin e saj. Por mbi të gjitha, RTK duhet të pastroj çfardo njolle që sillet rreth saj për të ruajtur kredibilitetin e saj te publiku. E nëse këtë nuk e bënë, atëherë humbet edhe kuptimi i ekzistencës së një institucioni të tillë. Por aty ka njerëz profesionistë që do të bëjnë atë që duhet të përmirësojnë këtë ‘akcident’.