Muharremi për Kurtin: Pse po sillet si humbës dhe kaq i frustruar kur mendon se do të del i pari
Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane ka komentuar fjalimin e liderit të VV-së, Albin Kurtit dje gjatë tubimit në Mitrovicë.
Muharremi ka pyetur se ‘pse Kurti po sillet si humbës dhe kaq i frustruar’, kur me siguri sipas tij, prapë do të dalë i pari.
“Pse është e vështirë të kuptohet dhe menaxhohet ky proces, i cili është i shëndetshëm për LVV? Kur ke fituar 50.2% të votave, apo 430 mijë vota, ke prekur kulmin dhe nuk ka më hapësirë për rritje. Nuk janë votat pakufi, rezultatet mvaren dhe bazohen edhe nga akterët dhe partitë tjera. Ke qeverisur, je amortizuar, dhe tash duhet të korrigjohesh. Çka ka të keqe apo pazakont këtu?”, ka deklaruar ai.
Sipas Muharremit, Kurti duhet të tregojë se çfarë ka bërë dhe çfarë do të bëjë në katër vitet e ardhshme.
“Kjo na interson prej teje. A ke mësuar diçka këto katër vite dhe çka do të bëje ndryshe, apo ti je i pagabueshëm..”, ka shkruar ai.
Tutje ai shton se LVV do të tkurret dhe kjo sipas tij është e pashmangshme.
“Fillimisht në rajonin prej 300 mijë votash më 9 shkurt dhe, nëse nuk mëson, edhe në 200 mijë vota në zgjedhjet e tjera. Është më mirë të fokusohet për të gjetur rrugën për të ardhmen. Të ri-inventoj vetën nëse dëshiron me mbetë pjesë e të ardhmës”, shtoi ai.