MPJD thotë se shenjat e gishtërinjve të dërguara nga Serbia përshtaten me ato të Faton Hajrizit

MPJD thotë se shenjat e gishtërinjve të dërguara nga Serbia përshtaten me ato të Faton Hajrizit

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka thënë se gjurmët e gishtërinjve që kanë dërguar të hënën autoritetet serbe, e që pretendohet se janë të personit të vrarë në Serbi javën e kaluar, përshtaten me ato të Faton Hajrizit.

Përmes një komunikate për media, MPJD njofton se autoritetet serbe kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi, të cilat bashkë me shenjat e gishtërinjve të Hajrizit janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.

Pas krahasimit, Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin Hajrizit.

Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njejtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi”, thuhet në njoftim.

Më tej MPJD lut opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre.

Kujtojmë se sipas informacioneve të lëshuara nga ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, Faton Hajrizi u vra më 19 korrik nga Policia serbe gjatë tentativës për  ta arrestuar, pas vrasjes së policit serb që ndodhi më 18 korrik në Loznicë.

Autoritetet kosovare janë shprehur se po presin përgjigje për konfirmimin e identitetit të personit të vrarë në Serbi dhe lehtësimin e procedurave për kthimin e trupit të pajetë.

Shpërndaje në: