MPB-ja nuk dha asnjë vërejtje, KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe
Edhe përkundër rekomandimit të Zyrës së Partive Politike për certifikimin e Listës Serbe dhe të listës së 48 kandidatëve të saj për deputetë, KQZ nuk ka certifikuar këtë subjekt politik për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Në fillim, dy anëtarët e VV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi kanë shprehur kundërshtimin për certifikimin e këtij subjekti politik, raporton Periskopi.
Edhe anëtarët tjerë që vijnë nga radhët e opozitës kanë shprehur shqetësimet e tyre.
Në anën tjetër përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Arianit Elshani, ka kujtuar se verifikimi i listave të kandidatëve ka kaluar nëpër disa institucione dhe asnjë prej tyre nuk ka dhënë ndonjë vërejtje.
Elshani ka kujtuar se edhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë asnjë vërejtje për listën e kandidatëve të subjektit politik.
“Të gjithë ne e dijmë se kush është Lista Serbe. Është mirë që edhe institucionet e Kosovës të na tregojnë se kush është ky subjekt politik”, ka thënë Elshani.