Mourinho: Roma sfida më e rëndësishme, nuk jam këtu për pushime

Mourinho: Roma sfida më e rëndësishme, nuk jam këtu për pushime

Jose Mourinho bëri prezantimin zyrtar si trajner i Romës, teksa zhvilloi paraditen e sotme një konferencë për shtyp në prani të gazetarëve italianë, ku zbuloi arsyet e pranimit të ofertës së verdhekuqve dhe foli për objektivat e tij me kryeqytetasit italianë.

Tekniku i mirënjohur portugez e nisi fjalën e tij me një falënderim për pritjen e ngrohtë që i kishin rezervuar tifozët verdhekuq, duke thënë se u fut menjëherë në borxh me ta, teksa më pas shprehu mirënjohje edhe ndaj pronarëve të klubit, për besimin që i dhanë.

Pse zgjodhët Romën?
Jam këtu pranë statujës së Marco Aurelios, por nuk jam për turizëm në Romë. Sigurisht që është një qytet shumë i bukur dhe më pëlqen shumë, por këtu kam ardhur të punoj. Zgjodha Romën, sepse e ndjej veten të afërt me projektin e shoqërisë, por edhe për faktin se e shkuara e klubit është e lavdishme. Natyrisht që unë jam këtu për të ndërtuar të ardhmen dhe bashkë me drejtuesit kemi filozofi të njëjtë, për të hedhur bazat e një suksesi të qëndrueshëm, jo për të bërë diçka të menjëhershme dhe të izoluar.

E ndjeni presionin mediatik?
Kam ndërruar tre herë numrin e telefonit, por gazetarët e gjejnë gjithmonë. Duke lënë mënjanë shakatë, presioni këtu është i pabesueshëm dhe fantastik. Italia të mungon gjithmonë, kur ikën nga këtu, megjithatë unë jam për të punuar dhe për të mbrojtur interesat e klubit që përfaqësoj, ndaj nuk jam gjithmonë simpatik.

Si mendoni se mund të ndryshoni mentalitetin e grupit?
Fillimisht duhet njohur i gjithë grupi, për të parë se deri ku mund të shkojmë, Megjithatë kushti im i panegociueshëm është angazhimi maksimal në punë. Që në fillim dua të shoh që djemtë të japin 100% në stërvitje dhe më pas të bëjmë ndërhyrjen e duhura për të ndryshuar mentalitetin dhe për të synuar suksesin.

A mendoni se karizma dhe popullariteti juaj do të ndikojë edhe në merkaton e klubit?
Mund t’u garantoj se kam folur vetëm me Thiago Pinton dhe drejtuesit, për gjithçka që lidhet me klubin. Nuk kam kontaktuar asnjë futbollist personalisht, për ta ftuar të vijë te Roma.

A është Roma sfida më e rëndësishme? Si e shihni futbollin italian, tani që riktheheni pas më shumë se një dekade?
Sfida e radhës është gjithmonë më e rëndësishme dhe për momentin Roma është sfida ime e radhës. Jam i angazhuar të bëj maksimumin për të rikthyer klubin në nivelet që ia dikton historia. Sa i përket futbollit italian, mund të them se Italia është në finale të Euro 2020-ës dhe ia ka dalë me një skuadër që ka në përbërje futbollistë që luajnë në Serinë A. Nëse skuadrat italiane nuk ecin shumë në Europë, është edhe për faj të trajnerëve.

Si ka ndryshuar Mourinho gjatë këtyre viteve?
Nëse vitet nuk të bëjnë një profesionist më të mirë, do të thotë se gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Tani jam më i matur, por ADN-ja është e njëjtë. Jam ky që jam në të mirë e në të keqe. Në thelb jam i njëjti person.

Cila do të jetë e ardhmja e Dzekos dhe kush do të mbajë shiritin e kapitenit?
Nuk dua të flas dhe nuk dua të tregoj për punën që bëj brenda klubit. Emrin e kapitenit do ta dinë të parët drejtuesit e klubit dhe futbollistët.

Cilat janë objektivat dhe përgjegjësitë tuaja në këtë eksperiencë?
Unë jam viktimë e mënyrës si më shohin njerëzit, për shkak të asaj që kam fituar. Te Manchester United fitova tre tituj dhe ishte gjithçka një zhgënjim. Ajo që për të tjerët është fantastike, për mua quhet zhgënjim. Objektivi fillestar është që të fitojmë ndeshjen e parë zyrtare dhje më pas do kemi objektiv të fitojmë të dytën e kështu me radhë. Skuadra duhet të përmirësohet vazhdimisht dhe për këtë do të punojmë si për qendrën stërvitore, ashtu edhe me futbollistët.

A është Roma gati për të fituar?
Nuk është obsesioni im të mendoj kështu. Sezonin e fundit e mbyllëm 29 pikë larg vendit të parë dhe duhet të nisemi nga ky realitet për t’u përmirësuar sa më shumë. Është çështje projekti, pune dhe kohe. Natyrisht që mentaliteti im është që të përshpejtoj procesin e rritjes dhe dua që të gjithë të jenë në të njëjtën linjë, por synimi ynë është të hedhim bazat e një skuadre që do të qëndrojë gjatë në nivele të larta dhe jo të arrijmë një sukses të izoluar.

Sa i rëndësishëm do të jetë Zaniolo dhe cili do të jetë futbollisti kyç për idetë taktike të Mourinhos?
Zaniolo është një futbollist shumë i talentuar, por të gjithë e dimë se nuk ka qenë shumë me fat sa u përket dëmtimeve. Duhet të kuptojmë dhe analizojmë më mirë cilësitë e tij, për ta aktivizuar në një rol të përshtatshëm, ku të ndihet mirë dhe të ndihmojë më shumë skuadrën. Dua një skuadër që ndryshon në ndeshje e sipër, që luan ndryshe kur ka topin në zotërim dhe ndryshe, kur topin e ka kundërshtari. Megjithatë për të perfeksionuar këto mekanizma, duhet shumë punë dhe shumë kohë në dispozicion.

Një koment për Interin, Conten dhe Ronaldon…
Në futboll ka disa njerëz, me të cilët nuk mund të krahasohesh kurrë. Për shembull te Roma unë nuk mund të krahasohem me Liedholm dhe Capellon, ndërsa te Interi askush nuk mund të krahasohet me mua dhe Herrerën. Sa i përket Ronaldos, ai duhet të jetë i qetë, pasi unë nuk luaj mbrojtës qendre. Jam shumë i vjetër dhe i dobët për ta ndaluar.

Shpërndaje në: