Motra e kosovarit të vrarë në Floridë: Gruaja ia mori jetën, e ekzekutoi me pesë plumba
Albana Krasniqi, motra e Pajtim Krasniqit, shqiptarit nga Peja i cili të mërkurën në mbrëmje u gjet i vdekur bashkë me gruan e tij në Floridë të Shteteve të Bashkuara, ka thënë se vëllai i saj është vrarë nga gruaja e tij.
Në një shkrim në Facebook, Albana Krasniqi tha se gruaja e ka qëlluar vëllain e saj, Pajtimin, me pesë plumba në gjoks.
Dita ime e Falënderimeve nuk u kalua me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk u kalua me miqtë. Ajo u kalua me oficerët e policisë, detektivët dhe raportimet që flisnin për vrasjen e egër dhe të pakuptimtë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij. Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’ia merrte jetën vëllait tim kur e qëlloi me 5 plumba në gjoks”, tha ajo.
“Personi të cilit i besonte më shumë, personi me të cilin zgjodhi të kalonte jetën ishte ai që ia hoqi atë. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllezërit e mi nuk do të jemi kurrë të njëjtë. Kam frikë se nëna ime nuk do të shërohet kurrë”.
“Te dua gjithmone Pajtim. U prefsh në paqe”, shkroi Albana Krasniqi.
Ky rast tragjik ndodhi në mesnatën e të mërkurës në banesën e çiftit në Floridë.
Raportohet se janë dëgjuar së paku gjashtë të shtëna të njëpasnjëshme, të cilat lanë të vdekur burrë e grua.
Vdekja e tyre është konstatuar në vendin e ngjarjes, por akoma nuk është vërtetuar në tërësi se si ka ndodhur ngjarja dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë incident tragjik.