Mossi dridh ‘seriozisht’ reputacionin e Butës si ‘mbret i trapit’? Rap-analistët japin verdiktin e tyre

Mossi dridh ‘seriozisht’ reputacionin e Butës si ‘mbret i trapit’? Rap-analistët japin verdiktin e tyre

Një prej temave më të përfolura në ditët e fundit në skenën muzikore ka qenë padyshim “lufta” e fjalëve dhe këngëve kushtuar njëri-tjetrit mes rap-artistëve, Mossi dhe Buta.

Gjithçka filloi me ‘Psikopat’, ku rap-artisti, Mossi iu referua Butës me fjalët “ti je zotëri ndjenja, ama nuk kena ndjenja”, që është një thumbim i qartë për artistin nga Ferizaj, i cili fitoi famë të madhe me hitin e shkurtit të vitit 2016, “z. Ndjenja”.

Buta nuk u spraps aspak, teksa reagoi duke performuar një freestyle dedikuar kokë e këmbë rivalit nga Prishtina, në emisionin “Gjoni Black”, ku konteston brutalisht kredibilitetin e atyre që thotë Mossi në repturat e tij.

Vetëm tetë ditë pas këtij freestyle nga Buta, Mossi u shndrrua në njeriun më të përfolur në mesin e audiencës së rap muzikës, teksa u kundërpërgjigj me “Seriozisht”, ku tregon versionin e tij të së vërtetës në storien e komentuar nga rivali i tij, pak më shumë se një javë më parë.

Shkëmbimet e kërcënimet mes tyre nëpër rrjetet sociale kanë qenë shumë mirë të dokumentuara që prej lansimit të freestyle, e pastaj “Seriozisht”, derisa situata i ka ndarë në dy taborre fansat e rap muzikës.

Disa janë të bindur se vargjet e Butës, i cili gjërësisht konsiderohet ‘mbret’ i subzhanrit të muzikës rap – ‘trap’ – në Kosovë, janë më direkte dhe më demigruese, gjë që është plus i madh në sytë e gurmanëve të zhanrit në fjalë, por ka edhe shumë të tillë që besojnë se përgjigja e Mossit, i cili kultivon një lloj më bizar dhe kontravers të muzikës së rrugës të njohur si “gangsta rap” – e që e ka zanafillën nga vitet e 80-ta – është më shumë se e mjaftueshme për t’i dhënë atij avantazh artistik nga rivali.

E analisti, Adis Krasniqi, nga grupi “Maniakë të Hip Hopit”, i pyetur nga Periskopi nëse “Seriozisht” ka lëkundur reputacionin e Buta-s si “mbret i trapit”, u shpreh:

“Jo, është dicka tjetër në pyetje në kuadër të cështjes. Buta është i palëkundur në lëminë e trapit, por problemi ka qenë te ky beef.

“Buta deshi ta ngrisë pozicionin e vetë një shkallë më lart, në tentativë për ta shkatërruar karrierën e Mossi-t.

“Mirëpo, i dul dardhë me bisht, se (Mossi) ia ktheu mirë.

“Mossi është në avantazh momentalisht, njëherë është duke udhëheqë sa i përket këtij beefi. “Mirëpo, kjo s’e bën më të dobët artistikisht Butën, se është me vite drite larg Mossit kur bëhet fjalë për art.

“Mirëpo, sa i përket matematikave të këtij beefi, momentalisht Mossi është në epërsi, të shohim cka do të ndodhë – gjërat mund të ndryshojnë vetëm nëse Buta ka ndonjë strategji dalëse, përndryshe Mossi është një hap përpara momentalisht.”

Krasniqi është i bindur se Buta tentoi ta vuloste reputacionin e tij si “GOAT” me freestylen e fundit, por Mossi ia prishi planet me “Seriozisht”, që po konsiderohet si kundërpërgjigje më shumë se dinjitoze.

Në fakt, ngritja e Mossit pas publikimit të dissit ka qenë e jashtëzakonshme, duke arritur një milion klikime brenda katër ditëve në YouTube, ishte trending në këtë platformë në vendin e 19-të, si dhe për 20% iu shtuan ndjekësit në Instagram.

Andaj, Mossi po konsiderohet fituesi më i madh në këtë situatë.

Sidoqoftë, Buta mbetet ikonë e palëkundur e “valës së re” në skenën e hip-hopit kosovar dhe padyshim njëri prej artistëve me bazën e fansave më lojal në treg.

Se Mossi ka fituar më së shumti nga krejt kjo situatë pajtohet edhe drejtuesi i grupit “Maniakë të Hip Hopit”, Xon Rrahaj, i cili beson se ky beef e bën më fragjil Butën në skenën e Hip Hopit, duke ia humbur elementin e “të pamposhturit” në beefat e mëhershëm me artistë si Mozzik e Fero.

“Krejt ky Rap-Beef ka fillu me një rresht që Mossi ia ka kushtu Butës, për shkak t’ktij rreshti është kriju një prej rap-beefave ma t’mir viteve t’fundit,” thotë Rrahaj.

“Buta i është përgjigj ktij rreshti me një freestyle komplet t’kushtuar kundër Mossit, kjo tregon që Butës i ka ardhë rëndë ai rresht. Tash ne krejt, duke perfshi ktu edhe Butën, menduam që Mossi është shkatërru, po befasisht reagimi e tij ishte i shpejtë dhe i fuqishem. Mossi erdhi me videoklip, dhe Butës ia ka kushtu vetëm një repturë, po n’atë repturë arriti me iu kundërpërgjigj pothuajse secilit rresht që Buta ka bë n’freestyle.

“Nëse i dëgjojmë dissat e të dyve, ky i Butës ka një avantazh se është komplet e kushtuar kundër Mossit, kurse ky i fundit ka shtu vetëm një repturë në një këngë e cila është punu shumë më herët.

“Por më i zgjuar është tregu Mossi, i cili e filloi me një ngacmim të vogël, Buta ia kthen me një freestyle të plotë dhe pastaj Mossi reagon ashpër duke mos i lënë hapsirë me u kundërpërgjigj. Duhet ta cekim që më së shumti prej këtij beefi ka përfitu Mossi, ka fitu famë dhe ndjekës në rrjete sociale, kjo i jep një shtysë të madhe në karrierën e mëtutjeshme.

“Buta ka pas edhe diss kundër Mozzik dhe Fero, por asnjë prej tyre nuk i është kundërpërgjigj, dhe kjo gjë na ka bë t’mendojmë që Buta është i pamposhtur në këtë drejtim.

“Kjo ishte arsyeja kryesore që Mossi na ka befasu të gjithëve për të mirë. Ky rap-beef na ka tregu që Buta nuk është i paprekshëm dhe nuk ia kanë frikën të gjithë, dhe besoj që kjo do i hapë rrugën reperave të tjerë.”

Përndryshe, Mossi mbetet njëri prej figurave më të mistershme në skenën e muzikës kosovare, derisa pak ose fare ka material rreth jetës private të tij.

Në fakt, intervista e tij e vetme, nëse mund ta quajmë intervistë, ishte në Radio Prishtina, në gusht të vitit 2018, kur – në kohën sa ishte pjesë e PINT (ku nuk bën pjesë më) – pas një freestyle, drejtuesi i emisionit e pyet “t’flen qeky gangsta rapi pak më shumë, a po?”

“Gjithë, gjithë,” është përgjigja e Mossit, teksa largohet për të mos u parë më kurrë në ndonjë intervistë tjetër.

Intervistën supersonike të Mossit mund ta shihni në videon e mëposhtme nga minuta 29:15. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: