Mos u befasoni: Rusia mund të normalizojë raportet mes Kosovës dhe Serbisë
“Në Ballkan tranzicioni ka marrë fund,” tha Remzi Lani, një analist politik shqiptar para pak kohësh. Por për dallim nga shumë vende tjera post-komuniste, z.Lani nuk kishte ndërmend një transformim nga diktatura drejt demokracisë. “Ne kemi kaluar nga regjimet represive në ato depresive.” Ai ka të drejtë. Komunistët e vjetër dhe nacionalistët etnikë radikalë kanë përfunduar; në vend të tyre ka stagnim – ekonomik, social dhe politik.
Pyetja tash është se si këto regjime depresive do të përshtaten në rivalitetet gjeopolitike në rritje.
Një ditë para vizitës së fundit në Beograd të presidentit rus Vladimir Putin, ai shprehu pakënaqësinë e thellë me ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe akuzoi “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende tjera Perëndimore” për “destabilizimin” e rajonit; ministri i jashtëm rus, ndërkohë, denoncoi “gatishmërinë e ShBA-ve për t’i çuar të gjitha vendet e Ballkanit në Nato sa më shpejt dhe për ta hequr ndikimin rus nga ai rajon.” Rusia dëshiron ta bëj të qartë se kjo nuk është çfarë njerëzit në rajon duan.
Duke parë vizitën e z.Putin në Beograd dhe duke dëgjuar retorikën e tij, dikush nuk mundet veçse të konkludojë që konfrontimi në Ballkan mes Perëndimit dhe Rusisë po ndryshon në natyrë dhe intensitet. Në dekadën e fundit, Rusia aktivisht po mbronte praninë e saj ekonomike dhe kulturore në rajon, por kurrë nuk e sfidoi hapur NATO-n apo hegjemoninë e Bashkimit Evropian. Kjo gjë ka marrë fund.
Në shikim të parë, ambiciet e Rusisë duken joreale. Ballkani mbetet në mënyrë të palëkundur i kthyer kah Perëndimi: Greqia, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Shqipëria dhe Mali i Zi janë të gjitha anëtare të Natos dhe Maqedonia është në hapat e fundit të rrugës për t’u bërë e tillë poashtu. Çdo shtet në rajon ose është anëtar i Bashkimit Evropian ose aspiron për t’u bërë. Bashkimi Evropian është larg partneri më i madh tregtar në rajon, investitori më i madh dhe destinacioni i preferuar për emigrim. Dija konvencionale është që Rusia mund të jetë telashekrijuese por jo më shumë se kaq.
Dija konvencionale mund të jetë e gabuar. Moska ka nuhatur një cenueshmëri kritike në pozicionin e Perëndimit në Ballkan: Ndërsa në vende si Ukraina, Bashkimi Evropian është parë si simbol i ndryshimit, në Ballkan shihet si mbrojtës i ‘status quo-së’ që mund të jetë gati për t’u shkatërruar.
Publiku është i frustruar dhe zemëruar. Tensionet etnike janë në ngritje. Thuaj çdo vend në rajon ka parë demonstrata të mëdha anti-qeveritare. Rritja ekonomike është tepër e ngadalshme në shumicën e vendeve, mjerimi është i përhapur dhe shpopullimi është në nivele dramatike: Më shumë se 40 për qind e njerëzve të lindur në Bosnje dhe Hercegovinë e kanë lënë vendin e tyre; rreth 40 për qind e atyre që janë lindur në Shqipëri dhe rreth 25 për qind e atyre që janë lindur në Maqedoni e kanë bërë po të njëjtën gjë.
Dhe megjithatë, ndërsa sentimenti në rajon ka ndryshuar, Bashkimi Evropian duket i patundur për të ndryshuar qasjen e tij. Kjo është pjesërisht rezultat i një inercie burokratike dhe i mungesës së interesit politik. Por po ashtu vjen nga frika që çdo ndryshim politik në Ballkan mund të duket si tradhti e parimeve.
Luftërat në vitet 90’ në ish Jugosllavi luajtën rol kritik në formësimin e identitetit politik të Bashkimit Evropian të post-Luftës së Ftohtë. Evropianët e panë tragjedinë e afër jo si një përplasje mes shteteve apo kombeve por mes dy parimeve: parimi i nacionalizmit etnik, i reprezentuar nga Sllobodan Millosheviq, dhe parimi i demokracisë multietnike, i trupëzuar nga Bashkimi Evropian. Për rrjedhë, politikat e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit janë më ideologjike se në pjesë të tjera të botës. Rigjiditeti ideologjik i Evropës është i admirueshëm, por është pjesërisht përgjegjës për paralizën e këtij rajoni për të cilin po bëjmë fjalë.
Kjo është më së miri e ilustruar nga roli i BE-së në diplomacinë që po vazhdon mes Serbisë dhe Kosovës. Dialogu ishte iniciuar dhe inkurajuar nga Bashkimi Evropian sepse çdokush e kupton që njohja reciproke mes Beogradit dhe Prishtinës është e vetmja rrugë për t’i hequr pengesat për një bashkëveprim të thellë ekonomik që do t’i shtronte rrugën Serbisë dhe Kosovës për të hyrë në BE. Por kur presidenti Aleksandër Vuçiq i Serbisë dhe homologu kosovar, Hashim Thaçi, filluan të adresonin çështjen sensitive të “korrigjimit” të kufijve të tyre në mënyrë që të arrinin marrëveshjen finale, kryeqytetet e mëdha evropiane shpejt deklaruan se nuk do ta lejonin kurrë një gjë të tillë.
Ndryshimi i kufijve kurrë nuk është ide e mirë, veçanërisht pas përvojave traumatike të luftërave etnike në Ballkan. Por, t’iu thash liderëve të zgjedhur që nuk mund të formësojnë relacionet mes vendeve të tyre, është ide e keqe. Kështu, ndërsa frikërat evropiane janë të legjitimuara se si ndryshimi i kufirit të Kosovës me Serbinë do të inkurajonte shtete tjera që ta bënin të njëjtën, dhe BE-ja e ka të drejtën të insistojë që çdo ndryshim kufiri duhet të mbështetet nga shumica e popullsisë në vendet e tyre, mesazhi që vjen megjithatë është i varfër. Tingëllon sikur Evropa po iu thotë fqinjëve të saj që të rrinë larg nga objektet e mprehta. Dhe ja pse kjo ka kundërqëlluar. Shansat që Serbia dhe Kosova të arrijnë marrëveshje sot janë shumë më të vogla se që ishin disa muaj më herët, dhe rreziku për përplasje etnike është më i madh.
Këtu hyn Rusia në lojë.
Nëntorin e kaluar, z.Putin e takoi z.Thaçi, pavarësisht faktit që Moska nuk e njeh Kosovën si shtet. Takimi dha sinjalin se Rusia nuk e sheh rolin e saj në Ballkan vetëm si protektore e Serbisë, por po ashtu si një tregtar potencial pushteti. Kjo është arsyeja pse evropianët nuk do të duhej të befasoheshin sikur Rusia së shpejti të prodhonte hartën e saj për normalizimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare. [Ata po ashtu nuk duhet të befasohen nëse Turqia shpreh interes në një iniciativë të tillë të Rusisë].
Me fjalë të tjera, veprimet e Rusisë në Ballkan nuk është se vetëm po prishin lojërat. Moska dëshiron të zhvendos Bashkimin Evropian si ndërmjetësues për zgjidhjen e konflikteve rajonale, dhe po ashtu për të zëvendësuar Shtetet e Bashkuara si ndërmjetësuese në Lindje të Mesme.
Të premten, pas 27 vitesh të çuara dëm në mosmarrëveshje, parlamenti grek më në fund aprovoi emrin e ri të Maqedonisë, Maqedonia Veriore, duke i dhënë fund një prej konflikteve që po përndiqte shumë gjatë Ballkanit. Kjo ishte një fitore e madhe për strategjinë evropiane në rajon. Tash, Evropa duhet të gjejë energji të ngjashme dhe fleksibilitet për t’i shtyer Serbinë dhe Kosovën që të gjejnë kompromisin e tyre. Kjo është e vetmja rrugë që të mbetet relevante në rajon – dhe jo duke qenë thjesht si forcë që mban status quo-në.
Përktheu: Periskopi nga The New York Times.