Mos i lyeni buzët kur shkoni për të blerë buzëkuq
Sa herë që do të blesh një buzëkuq duhet ta provosh më parë atë. Nëse prova me testerin nuk të duket higjienike, atëherë provoje buzëkuqin te pjesa e brendshme e pulsit të dorës, pasi aty lëkura ka ngjashmëri me atë të fytyrës.
Një produkt i mirë njihet nga pigmenti. Produkti është i duhuri nëse me një ose dy kalime mbi pjesën e dorës përfiton ngjyrë të thellë dhe uniformë. Nuk bën si produkt nëse ndodh e kundërta. Artistja e grimit Bobbi Brown këshillon të blini me siguri buzëkuqin që ju shkon edhe nëse nuk jeni e grimuar.
E NDALUAR
Buzëkuqi mbi dhëmbë nuk do të jetë asnjëherë diçka e bukur për t’u parë. Edhe pse një gjest jo shumë elegant, ka një mënyrë se si të siguroheni që nuk keni buzëkuq mbi dhëmbë. Fusni në gojë gishtin tregues, rrudhni buzët rreth gishtit e më pas nxirreni atë ngadalë. Tepricat e buzëkuqit do të mbeten aty.
SI TA APLIKONI
Artisti i grimit Kevyn Aucoin ka një teknikë të tijën në aplikimin e buzëkuqit. Vizatoni konturin e buzëve më një laps neutral. Kjo do të bëjë të përfitoni më pas një gojë më natyrale, jo me stil klouni. Aplikoni pas lapsit neutral buzëkuqin, qoftë ky me ngjyrë të ndezur. Hiqni pjesën e tepërt me një kartë-pecetë. Kaloni mbi buzë pak pudër fytyre. Riaplikoni buzëkuqin, e përsëri kaloni sipër kartë-pecetën.