Monumentet e mbrojtura përhershëm nga shteti, të rrezikuara në realitet

Monumentet e mbrojtura përhershëm nga shteti, të rrezikuara në realitet

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka hartuar raportin “Vlerësimi i aseteve në mbrojtje të përhershme të shpallura në vitin 2016”. Ky dokument voluminoz ofron të dhëna për 19 asete të trashëgimisë kulturore nga 23 sa janë nën mbrojte të përhershme qysh para shtatë vjetësh, kur për herë të parë monumenteve iu dha një status i tillë. Ani pse janë të “privilegjuara” me letra, në realitet janë asete të rrezikuara

Mungesa e investimeve ka rezultuar me mbetjen e monumenteve pa mirëmbajtje, e kjo ka bërë që të rrezikohen një numër jo i vogël i aseteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme. Nuk do shumë punë që një gjë e tillë të vërtetohet në terren. Por deri në këtë konstatim ka ardhur edhe një agjenci e pavarur që e ka për detyrë të bëjë edhe vlerësimin e aseteve të trashëgimisë kulturore.

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka hartuar raportin “Vlerësimi i aseteve në mbrojtje të përhershme të shpallura në vitin 2016”. Ky dokument voluminoz ofron të dhëna për 19 asete të trashëgimisë kulturore nga 23 sa janë nën mbrojte të përhershme qysh para shtatë vjetësh, kur për herë të parë monumenteve iu dha një status i tillë.

Janë gjithsej 9 lokalitete arkeologjike. Prej tyre 8 janë radhitur si asete ku duhet ndërhyrje e menjëhershme, pasi nivelin e rrezikimit e kanë të lartë. Ndërsa te monumentet arkitekturore një prej tyre rezulton si aset ku duhet ndërhyrje e menjëhershme.

Sipas Raportit, asnjë monument nuk është në gjendje krejt të mirë. Ndërhyrje, por me prioritet mesatar e të ulët, duhet në të gjitha prej tyre.

Zyrtarët e KKTK-së, në prezantim të Raportit, të enjten, në hapësirat e hotelit “Grand” ku së fundmi është zhvendosur kjo agjenci, kanë thënë se është përdorur një metodologji e përgjithshme për të finalizuar dokumentin. Sipas tyre, pos vizitave në terren është komunikuar edhe me zyrtarët përgjegjës të monumenteve – për ato që kanë të tillë – dhe me Qendrat Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Kosovë.

Lokaliteti arkeologjik i Ulpianës, Kalaja e Korishës, Kalaja e Harilaqit, Lokaliteti Arkeologjik i Dresnikut, Kështjella antike e Keqekollës, Kalaja e Vushtrrisë, Kalaja e Veletinit e Hidroelektrana-Muzeu i Elektronomisë në Prizren, janë renditur si asete me nevojë të lartë të ndërhyrjes sa u përket prioriteteve.

Kalaja e Prizrenit është renditur si aset me prioritet mestar për ndërhyrje. Raporti, po ashtu, i ka bërë vend edhe faktit se lokalitetet për një periudhë jo të shkurtër kishin mbetur edhe pa rojë.

KOHA ka raportuar se për pesë muaj, deri në mars të këtij viti, shteti kishte lënë pa rojtarë e mirëmbajtje lokalitetet arkeologjike. Nuk ishin vazhduar kontratat e përkohshme të stafit, duke bërë që monumentet të rrezikohen edhe më. Por edhe me angazhimin e punonjësve gjendja nuk ka ndërruar shumë.

Prej vitit 2019 investime në arkeologji nuk ka. Punimet e mëhershme kanë nxjerrë në pah struktura të rëndësishme të cilat shkaku i mosmirëmbajtjes janë duke u shkatërruar. Shembull tipik i shkatërrimit është edhe Kalaja e Harilaqit. Në fotografitë e Raportit shihet qartë se si kanë degraduar strukturat e një prej monumenteve më të rëndësishme në Kosovë.

Raporti jep të dhëna edhe për Fushën e madhe dhe Tuma në Viti, Xhaminë e Hadum Agës në Gjakovë, Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, Xhaminë e Sinan Pashës në Prizren, Kishën dhe Shkollën Fillore në Gjuhën Shqipe në Stubëll, Kullën e Haxhi Zekës në Leshan, ish-Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, ndërtesën e IKMM-së e kompleksin e banimit “Emin Gjiku” në Prishtinë. Aty hyn edhe Xhamia e Mbretit po në Prishtinë. Për krejt këto prioriteti i ndërhyrjeve kategorizohet i ulët.

Udhëheqësi ekzekutiv i KKTK-së, Kreshnik Bajraktari, ka thënë se nuk kanë mundur t’u qasen asteve si Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës, Patrikana e Pejës e Kisha e Shën Premtes.

“Pavarësisht kërkesave institucionale nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë ai. E kryetarja e KKTK-së, Zanita Halimi, ka thënë se nuk kanë dashur të bëjnë vlerësim si turist apo vizitor por si institucion.

“Për krejt këtë e kemi njoftuar edhe OSBE-në si partner që e kemi”, ka thënë ajo. Manastiri i Deçanit u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2004. Më 2006 ky status u shtri edhe në tri monumente të tjera të Kosovës. Manastiri i Graçanicës, Patrikana e Pejës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren, po ashtu, kanë hyrë në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik si “Monumente Mesjetare në Kosovë” e të cilat në këtë organizatë botërore janë nën emrin e Serbisë. Në vitin 2021 organizata “Europa Nostra” e kishte futur Manastirin e Deçanit në listën e shtatë monumenteve të Evropës që ishin “në rrezik”. Këtë e kishte arritur lobimi i shtetit serb.

Sa i përket Raportit të KKTK-së, midis kritikave renditet edhe fakti se pos Kalasë së Prizrenit, asnjë aset nuk ka plan menaxhimi. Për ironi, sipas vendimeve për mbrojte të përhershme, Ministria e Kulturës obligohet që pas 6 muajsh prej vendimeve të miratojë planet e menaxhimit.

Por edhe në rastin e vetëm ku ka plan menaxhimi ai nuk është vënë në zbatim. Plani i menaxhimit të Kalasë së Prizrenit, i miratuar në dhjetor të vitit 2020, përcakton 16 punonjës në Kalanë e Prizrenit. Në korrik të vitit të kaluar qe emëruar edhe Njësia menaxhuese për këtë aset të trashëgimisë kulturore, ndër më të rëndësishmit në vend. Por këto dy dokumente nuk kanë dhënë kurrfarë efekti. Degradimi në Kalanë sipër qytetit jugor veç ka marrë hov.

KKTK-ja ka renditur edhe një varg rekomandimesh në Raport. Hartimi i planeve të menaxhimit, konservimi dhe restaurimi, ndarja e rregullt e buxhetit, shpronësimi i aseteve sipas ligjit, përmirësimi i infrastrukturës, botimi i rezultateve, promovimi, respektimi i legjislacionit për subvencionimin, lirimi nga tatimi në pronë, shenjëzimi e rishikimi i perimetrit dhe zonës mbrojtëse janë rekomandimet e përgjithshme. Për secilin monument ka rekomandime të veçanta.

Kryetarja e KKTK-së, Zanita Halimi, ka treguar se Raporti do t’u dërgohet Ministrisë së Kulturës, Komisionit parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, kulturë e inovacion, si dhe institucioneve të tjera. E pyetur se a është më e rëndësishme që të ndërhyhet në asetet nën mbrojte të përhershme apo ato nën mbrojte të përkohshme që MKRS-ja i konsideron si të rrezikuara, ajo ka thënë se për këtë do të flasin me MKRS-në.

Image
Zanita Halimi, kryetare, dhe Kreshnik Bajraktari, udhëheqës ekzekutiv i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, të enjten, në hotelin “Grand”, në prezantimin e raportit “Vlerësimi i aseteve në mbrojtje të përhershme të shpallura në vitin 2016”

“Do të kërkojmë listën e tyre se cilat janë monumentet në rrezik, do ta shohim si është përpiluar ajo dhe do të japim rekomandimet tona”, ka thënë Halimi. Sipas saj, mirëmbajtje duhet bërë në të gjitha asetet.

Shteti mbron përhershëm vetëm 18 monumente. Një vit pasi janë shqyrtuar dosjet, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore bashkë me Ministrinë e Kulturës në janar të këtij viti kishin ardhur në përfundim se edhe pesë monumente duhet të gëzojnë statusin e mbrojtjes së përhershme. Kësisoj, 23 vjet pas luftës së fundit, Kosova mbron përhershëm 28 asete të trashëgimisë kulturore.

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore prej dhjetorit të vitit të kaluar kishte në shqyrtim 54 dosje të monumenteve. E tash është duke vazhduar me shqyrtimin e 49 prej tyre. Hamami i Madh në Prishtinë, Varrezat Hebraike në Prishtinë, Shkolla e Muzikës (ish-Saraji i Mustafë Pashës) në Gjilan, Atik Xhamia në Gjilan dhe ish-hoteli “Jadran” në Mitrovicë, kanë fituar statusin e mbrojtjes së përhershme.

Shteti vazhdon të mbrojë përkohshëm shumicën e aseteve të trashëgimisë kulturore. Janë 1633 asete në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Afati i Listës së përkohshme është një vit dhe përtërihet vit pas viti qysh prej vitit 2012./koha.net

Shpërndaje në: