Monika Kryemadhi paraqitet në SPAK, dorëzon ankim në GJKKO
Deputetja Monika Kryemadhi u paraqit sërish në Prokurorinë e Posaçme SPAK këtë të hënë në zbatim të masës detyrim paraqitje.
Fillimisht ajo u fut në Gjykatën e Posaçme GJKKO, ku tha se do të depozitojë një ankimim, por pa dhënë më shumë detaje.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK se janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, shkruan A2 CNN.
10 ditë më parë, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të bllokuar dy pasuri të paluajtshme të deputetes Monika Kryemadhi dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhi.
Përmes një komunikimi zyrtar, SPAK tha se masa e sekuestros preventive është caktuar mbi dy vila 4-katëshe tek Kodra e Diellit në kryeqytet, që përbëjnë 898 m2 sipërfaqe ndërtim në total.