Momenti kur ushtarët serbë ikin nga Prishtina, gazetari Ilir Ikonomi publikon fotografi të shkrepura ditën e çlirimit të Kosovës
Pas dekadave të tëra të dhunës, torturës e krimeve të Serbisë, Kosova më 12 qershor 1999 u çlirua nga okupimi serb, ditë kjo që shënon edhe hyrjen e forcave të NATO-s në vend, pas 78 ditësh sulme ndaj caqeve të ushtrisë serbe.
Shteti i Kosovës të mërkurën shënoi 25-vjetorin e çlirimit, por historia e rëndë për popullin e Kosovës do të jetë gjithmonë në kujtesë.
Prandaj, në ditët si 12 qershori kur kujtohet sakrifica e vuajtjet e brezave të tërë, e kupton se e çmuar është liria.
E ish- gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi pikërisht të mërkurën, më 12 qershor publikoi disa fotografi të vitit 1999, disa ditë pas çlirimit.
Ikonomi në një postim në Facebook tregon se më 12 qershor 1999 bashkë me disa gazetarë kishte hyrë në Prishtinë, ndërsa raportonte për Zërin e Amerikës.
“Janë disa kujtime të paharruara nga ditët dramatike të çlirimit të Kosovës”, shkruan Ikonomi.
Më poshtë mund të shihni disa nga fotografitë që ish gazetari i Zërit të Amerikës i ka publikuar, me përshkrimet që ia ka vënë në to.
12 qershor 1999. Një helikopter “Apache” i paraprin hyrjes së NATO-s në Kosovë. Trupat arritën në rrethinat e Prishtinës para se të binte mbrëmja.
Britanikët dhe forca të tjera hyjnë në Prishtinë. Arritja e NATO-s ishte shumë metodike, për të shmangur çdo incident
Djegie dhe shkatërrime të tjera në Pejë
Ky burrë na tregon se ç’ndodhi me familjarët e tij kur forcat serbe hynë në këtë fshat afër Prishtinës