Molliqaj për fjalët e Kurtit për diasporën: Rrehja shpinën, kapja votën

Molliqaj për fjalët e Kurtit për diasporën: Rrehja shpinën, kapja votën

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti nëpër tubimet zgjedhore jashtë Kosovës, tek mërgata.

Molliqaj, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka përshkruar diskursin e Kurtit me diasporën me shprehjen “rrehja shpinën, kapja votën.”

“Gjithçka që kemi vjen prej diasporës. Diaspora është edhe masa edhe maza, edhe sasia edhe cilësia. Përgjigjen e kundërt, tipike për elitat e mbetura pa pushtet e kemi në Kosovë. Me një cinizëm përçmues, ajo na thotë se diaspora është një tufë injorantësh – gërrnaqa. Asnjëra s’është e vërtetë, diaspora nuk është as popull i zgjedhur, as llum. Njëjtë si këtu, aty ka edhe injorancë dhe mendje të holla; ka punëtorë të mirë, siç ka edhe parazitë.

Një diskutim i vërtetë me diasporën është i nevojshëm. Ajo është shumë e rëndësishme për ta lënë të instrumentalizuar kështu”, ka deklaruar Molliqaj.

Kurti përgjatë ditës ekzaltoi mërgatën përmes lavdatave. Ai i quajti ata më patriotët e më punëtorët në mesin e shqiptarëve. Ua citoi edhe figurën e madhe shqiptare, Faik Konicën.

“Më lejoni ta filloj me një thënie të Faik Konicës nga fillimi i shekullit të kaluar. Pra, ky shkrimtar e gazetar, diplomat e intelektual e kritik letrar i mirënjohur i kombit tonë shkruante se: Të gjitha ndryshimet politike kanë pasur përherë dy faktorë: Emigrantët dhe një elitë e vogël e lindur brenda vendit. Ky është kombinimi fitues për shtetin tonë, për kombin tonë”, deklaroi Kurti.

“Jo vetëm patriotët më të devotshëm, jo vetëm punëtorët më të mëdhenj, por sot edhe studentët më të shkëlqyeshëm i kemi në diasporën tonë.

Kur themi që ne atje jemi brenda e ju jeni jashtë, nuk jemi tamam të sigurt për këtë. Meqenëse, nëse i ke patriotët më të mëdhenj, punëtorët më të devotshëm dhe mendjet më të ndritura jashtë, pra edhe zemra edhe muskujt edhe truri atëherë njëmend lind pyetja se kush është jashtë e kush është brenda. Ndoshta ne që jemi atje brenda jemi më jashtë, e ju që jeni jashtë jeni më brenda se ne atje”, deklaroi pos tjerash shefi i Qeverisë.

Shpërndaje në: