Molliqaj: ‘Erdhi dita’ për familjarë e militantë, komuna e Gjilanit është shndërruar në Komunën e Vetëvendosjes
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka publikuar fotografi nga aksioni i partisë së tij në komunën e Gjilanit.
Molliqaj ka thënë se “erdhi dita për familjarë e militantë”, teksa ka dhënë disa informata për punësimet në këtë komunë.
“Ditë më parë DKA në Gjilan publikoi rezultatin dhe fituesit e konkursit për mësimdhënës. Një përqindje e lartë e emrave fitues në këtë listë janë kunata, mbesa e familjarë apo militantë të tjerë të Kryetarit Alban Hyseni, Drejtorit të DKA-së Shpend Nuhiu dhe Deputetëve Luan Aliu e Arjeta Rexhepi”, ka shkruar Molliqaj
Shkrimi i plotë:
Postimi i plotë:
‘Erdhi dita’ për familjarë e militantë.
Komuna e Gjilanit është shndërruar në Komunën e VETËVENDOSJE!-së. Zyra e Kryetarit në Zyrën për punësim të familjarëve dhe militantëve.
Pllaka para objektit të Komunës së Gjilanit mund të krijojë huti për qytetarët, duke implikuar që Komuna dhe Kryetari janë të qytetarëve. E vërteta nuk është e tillë! Prandaj ne si PSD, sot kësaj pllake ia mbivendosëm emërtimin e duhur, që qytetarët që nuk janë familjarë apo militantë mos të mbajnë shpresa për trajtim dhe mundësi të barabartë.
Indinjatë është vetë nepotizmi. Përmasa dhe shfrenimi i punësimeve nepotiste në Komunën e Gjilanit janë aq absurde, sa janë edhe arsye për revoltë.
Ditë më parë DKA në Gjilan publikoi rezultatin dhe fituesit e konkursit për mësimdhënës. Një përqindje e lartë e emrave fitues në këtë listë janë kunata, mbesa e familjarë apo militantë të tjerë të Kryetarit Alban Hyseni, Drejtorit të DKA-së Shpend Nuhiu dhe Deputetëve Luan Aliu e Arjeta Rexhepi.
Komuna e Gjilanit është reflektim i pastër i pushtetit qendror në veçanti dhe qasjes së VV-së në përgjithësi: stagnim, arsyetim dhe nepotizëm!
Alban Hyseni dhe shefi i tij Albin Kurti në fushatë na thoshin që familjarët janë për dasma. Sot, gjithë Komuna e Gjilanit e sidomos DKA janë bërë sallë dasmash. Mandati i Alban Hysenit si i tërë, i shkurtër për nga sukseset, i gjatë për nga dështimet, është një dasmë e madhe dhe e gjatë për familjarët e tij e atyre që ka përreth.
Pa dyshim që do të thonë se më të mirët kanë fituar, por në testin me shkrim që ia kemi bashkëangjitur pllakës para komunës, patjetër që familjarët do të dalin më të saktë se një qytetar tjetër.
Kur në pyetje është zhvillimi i qytetit dhe politikave të mirëfillta, Alban Hyseni është sikurse deputetët e VV-së nga Gjilani në Kuvendin e Republikës së Kosovës: nuk di e nuk folë. Kur në pyetje janë kunatat e mbesat, njëri më i zoti se tjetri na dalin.
Punë ka, por veç nëse ke ndonjë lidhje familjare. Përndryshe, qytetarët tjerë as Kryetar as Komunë nuk kanë.