“Mjeshtrit” e arratisjeve nga drejtësia në Kosovë, brenda dy muajve u arratisën Enver Sekiraqa, Faton Hajrizi dhe Marko Roshiq

“Mjeshtrit” e arratisjeve nga drejtësia në Kosovë, brenda dy muajve u arratisën Enver Sekiraqa, Faton Hajrizi dhe Marko Roshiq

Se sistemi i drejtësisë dhe i sigurisë në vend është duke u “provokuar” nga njerëzit që thyejnë ligjin dhe vënë në rrezik jetën e qytetarë, kjo tashmë është e ditur.

Tri arratisje të njëpasnjëshme ndodhën vetëm brenda një periudhe dy mujorshe.

I pari që i priu “kësaj valle” të arratisjeve ishte pikërisht Enver Sekiraqa, emër ky i njohur ndër vite për organet e hetuesisë dhe të drejtësisë në Kosovë.

Që nga data 17 maj, Enver Sekiraqa është shndërruar në njeri të “zhdukur” për Policinë dhe Prokurorinë e vendit.

Arratisja e Sekiraqës erdhi pikërisht pas ndryshimit të masës së sigurisë, pasi Gjykata e Apelit kishte vendosur që të njëjtin ta kthejë në paraburgim.

Policia më pas konfirmoi se janë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare ndaj Enver Sekiraqës.

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë”.

Më tej Policia thotë se “meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njëjti nuk është hasur në shtëpi”.

“Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kanë kërkuar të njëjtin, por nuk e kanë hasur në shtëpi”.

Sipas Policisë, veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë.

“Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ndryshe Enver Sekiraqa më 3 maj 2024, për herë të tretë pas kthimit të rastit në rigjykim është dënuar më 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

Enver Sekiraqa vazhdon të jetë emër shumë i përmendur nga organet e drejtësisë, ndërsa në Prishtinë njihet ende si njëri që solli “mjaftë shumë probleme” për qytetarët.

Sekiraqa ndërkohë nuk është i vetmi që i iku drejtësisë në Kosovë së fundi.

Një ikje “spektakolare” të organizuar mirë e mirë e bëri më 6 korrik i burgosuri tjetër, Faton Hajrizi.

Hajrizi arriti që përmes lidhje së disa çarçafëve të arratiset nga Burgu i Smrekonicës.

Faton Hajrizi apo “mjeshtri i arratisjeve” bëri 9 ikje nga burgu gjatë jetës së tij.

I njëjti ndodhet në burg që nga mosha 14 vjeçare.

Si fillim ai ishte arrestuar për një krim të kryer në vitin 2000. Ai ishte dënuar për vrasjen e një ushtari rus. Në kohën kur ai e kishte kryer vrasjen ishte shumë i ri dhe ishte dënuar me 27 vjet burg.

Por, është vetë Hajrizi i cili ka deklaruar se tri ditë pasi ishte dërguar në Burgun e Mitrovicës, kishte arritur që të ikte nga atje.

Për ikjen e parë nga burgu ai tregoi se e kishte shfrytëzuar dritaren e banjos së burgut në Mitrovicë. Pas kësaj, Faton Hajrizi ishte arrestuar nga ushtarët e KFOR-it në Kosovë.

Duke mos e lënë me kaq, i lartcekurit kishte vazhduar me të njëjtin avaz-atë të arratisjes.

Hajrizi arratisjen e dytë e kishte bërë nga Burgu i Prishtinës, kurse një herë ishte arratisur edhe nga një bazë ushtarake, saktësisht nga Boondsteel-i.

Në korrik të vitit 2007, ai ishte arratisur nga Burgu i Dubravës, bashkë me gjashtë të burgosur të tjerë, të dënuar për krime të rënda.

Disa muaj më vonë, në shtator të vitit 2007, kur në Drenas kishte ndodhur një grabitje me armë ku katër persona me armë dhe maska kishin grabitur një argjendari dhe gjatë ikjes kishin plagosur me armë zjarri dy policë dhe pronarin e dyqanit. Vlera e arti e grabitur në këtë rast ishte rreth 63 mijë euro.

Gjatë vazhdimit të kërkimit të grabitësve, në fshatin Bruznik të Vushtrrisë, një patrullë policore kishte tentuar ta ndalojë një veturë të dyshuar.

Të dyshuarit nga ajo veturë kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë dhe kishin plagosur me armë zjarri dy policë, si dhe kishin arritur të iknin në këmbë.

Dyshohet se të njëjtit kishin kryer grabitjen dhe plagosjen në Drenas.

Faton Hajrizi dhe Burim Basha ishin arrestuar në tetor 2007 në një shtëpi në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Gjatë kësaj bastisje ishin gjetur edhe disa armë.

Kurse në vitin 2012, Faton Hajrizi ishte arratisur nga Burgu i Prizrenit duke u ngjitur në murin e burgut e duke i kaluar rrethojat me gjemba. Por pas një aksioni policor ai ishte arrestuar përsëri.
Hajrizi kishte arritur që të ikë edhe nga Burgu i Sigurisë së Lartë, e së fundi edhe nga ai i Smrekonicës.

Edhe pse shpesh herë ishte tentuar që Faton Hajrizi të paraqitej si “një i ri i pafajshëm” për vrasjen e policit rus, ky i fundit nuk po vuante atë pjesë të dënimit prej vitesh. I lartcekuri ishte në vuajtje të dënimit të veprave të tjera, por që sërish nuk duroi t’u shkonte në fund. Ai arriti që të arratiset për të nëntën herë me radhë nga burgjet, këtë herë nga ai i Smrekonicës.

E së fundi Qendra Korrektuese e Smrekonicës ku Hajrizi vuante dënimin është institucion i tipit të hapur. Hajrizi u lajmrua edhe përmes një lidhje direkte në “TikTok” nga ku tha se gjendet jashtë Kosovës dhe se është i paarmatosur.

Vazhdës së arratisjeve në Kosovë së fundi iu bashkua edhe një serb.

Marko Roshiq është njëri nga katër të dënuarit për vrasjen e politikanit të njohur serb të veriut, Oliver Ivanoviq.

Roshiq tashmë është arratisur.

Ai ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Themelorë në Prishtinë, por i njëjti ishte liruar nga paraburgimi dhe po mbrohej në liri.

Arratisja e tij është konfirmuar edhe nga organet e sigurisë.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Ditën kur është marrë vendimi ka qenë diku rreth orës 11:00. Neve na kanë sjellur vendimin për ekzekutimin e dënimit rreth orës 15:00. Po atë ditë [ditën kur është marrë vendimi nga gjykata], ne kemi shkuar për ta arrestuar por ai s’ka qenë në shtëpi dhe ne besojmë se ai nuk është në Kosovë”, tha Elshani.

Roshiq raportohet se nuk është gjetur në shtëpinë e tij dhe as nuk është paraqitur në stacion policor./lajminet

Shpërndaje në: