Mjekët zbulojnë pasojat e mungesës së gjumit në shëndetin tonë
Ndonëse mund të jetë joshëse të qëndrosh zgjuar gjithë natën, qoftë për punë, për të kryer projekte shtëpiake apo për t’u kujdesur për një person të dashur, heqja dorë nga pushimi mund të ketë një ndikim negativ në shëndetin tonë.
Ekspertët folën për Fox News Digital për efektet e një nate pa gjumë, duke vënë në dukje se si mund të ndikojë në trup fizikisht dhe mendërisht. Mjekja e përgjithshme Dr. Leah Joseph thekson se kjo mund të rrisë nivelet e stresit.
“Efektet fizike përfshijnë dobësimin e sistemit tuaj imunitar, gjë që ju bën më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve”, tha Joseph.
Përveç kësaj, ajo shton se mungesa e gjumit gjithashtu mund të rezultojë në dëmtim të kujtesës, përqendrimit dhe funksionit të përgjithshëm njohës dhe thekson efektet mendore si luhatjet e humorit, ankthi dhe depresioni.
Mungesa e gjumit shoqërohet me rrezikun e kushteve të ndryshme psikologjike
Eksperti i mjekësisë së gjumit, Alex Dimitriu, paralajmëron efektet afatgjata të mungesës së gjumit. Ai theksoi lidhjen midis mungesës së gjumit dhe rritjes së rrezikut të kushteve të ndryshme psikologjike, si depresioni, ankthi dhe rreziku i shtuar i demencës.
“Ekzistojnë dëshmi se edhe një natë gjumë i pamjaftueshëm çon në akumulimin e toksinave në tru, të ngjashme me ato që shihen te njerëzit me sëmundjen Alzheimer”, tha Dimitriu.
Ai shton se humbja e gjumit gjithashtu shkakton rritje të dëshirës për karbohidrate, dobësim të imunitetit dhe rritje të hormoneve të stresit, si kortizoli dhe adrenalina, shkruan Index.hr, transmeton Klankosova.tv.
“Rritja e hormoneve të stresit, nga ana tjetër, mund të rrisë rrahjet e zemrës, presionin e gjakut dhe sheqerin në gjak”.
Pavarësisht kësaj, ekspertët theksojnë se netët e herëpashershme pa gjumë mund të jenë të tolerueshme, por vetëm nëse e kompensojmë gjumin e humbur ditën e dytë. Megjithatë, anashkalimi i vazhdueshëm i gjumit për periudha të gjata kohore mund të ketë pasoja më serioze, duke përfshirë një rrezik në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit, obezitetit dhe problemeve të shëndetit mendor.
“Një natë pa gjumë mund të mos bëjë dëm serioz, por nëse situata të tilla përsëriten shpesh, efektet negative grumbullohen”, përfundoi Dimitriu, transmeton Klankosova.tv.