Mitrovica nderon dëshmorët
Me rastin e 25-vjetorit të Ditës së Dëshmorëve të UÇK-së në Mitrovicë, drejtues komunalë, familjarë të dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe sot në Varrezat e Dëshmorëve në Shipol.
Për të nderuar luftën e lavdishme të UÇK-së, të gjithë ata që luftuan, në veçanti për të nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe familjeve të tyre, kryetari Bedri Hamza, së bashku me nënkryetarin Arian Tahiri, drejtorë të drejtorive komunale, kanë vendosur buqeta me lule të freskëta në varrezat e dëshmorëve në Shipol.
Pjesëmarrës në këto homazhe ishin edhe përfaqësues të institucioneve tjera lokale, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarë të shumtë.
Kryetari Hamza tha se liria që gëzojmë sot është dhuratë që dëshmorët e paguan me çmimin më të shtrenjtë- vetë jetën.
“Mitrovica i ka dhënë shumë Kosovës, në çdo etapë të ekzistencës së saj. Por trimëria dhe flijimi i dëshmorëve në luftën e fundit, është traseja më e dhimbshme e vendit tonë, në rrugën e gjatë të përpjekjeve, për të realizuar të drejtën e të jetuarit të lirë. Dëshmorët e Mitrovicës, martirët dhe civilët janë gurthemeli i vet ekzistencës tonë, janë garancia e dhënë me detyrën me të shtrenjtë – flijimin, që ne sot të jetojmë të lirë dhe të pavarur, të punojmë e zhvillohemi. Sot dhe çdo ditë përulemi përpara veprës heroike të dëshmorëve të Mitrovicës,” tha Hamza.
Ky përvjetor u organizua nga Komuna e Mitrovicës, përkatësisht nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës.