Misioni për ‘kapjen’ e KPM-së, anëtarët e bordit propozojnë ndryshimin e rregullores së punës
Anëtari i KPM-së, Besnik Berisha ka propozuar që në agjendën e mbledhjes së sotme të Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave të vendoset propozimi për ndryshimin e rregullores së punës të komisionit dhe një pikë për “sigurimin e vazhdimësisë së punës të kryesisë së KPM-së përmes zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarit”.
Me ndryshimin e rregullores, ai ka thënë se synohet që të ofrohet zgjidhje për caktimin e një kryetari të ri të KPM-së, pasi kryetarit aktual, Jeton Mehmetit, i përfundon mandati pas tri ditësh, me 20 janar.
“Unë mendoj që ne si KPM duhet të ofrojmë një zgjiedhje me qëllim që KPM-ja të ketë kryetar edhe pas kësaj date dhe për këtë arsye unë propozoj ndryshimin e rregullores së punës”, ka thënë Berisha.
Berisha kërkoi që kjo pikë të hyjë në agjendë menjëherë.
Ai tha se kjo pikë nuk ka për synim shkarkimin e kryetarit aktual të KPM-së, Jeton Mehmetit.
“U lansua sot lajmi në media që KPM e ka në agjendë shkarkimin e kryetarit të KPM-së. Mua më habit se si mori dhe një lajm i tillë, sepse askush nuk e ka pasur në plan shkarkimin e kryetarit të KPM-së, e as nuk ka kuptim të shkarkohet kryetari i KPM-së tri ditë pa skaduar mandati”, tha ai.
Megjithatë, sipas kryetarit aktual të KPM-së, Jeton Mehmeti tha se ndryshimi i rregullores së punës me qëllim zgjedhjen e një kryetari të ri, është në kundërshtim me Ligjin për KPM-në.
Aktivistja e shoqërisë civile dhe juristja e medias, Flutura Kusari ka alarmuar sot se propozimi për ndryshim-plotësimin e rregullores së punës së KPM-së paraqet përpjekje për “kapjen” e KPM-së.
Flutura Kusari denoncon përpjekjen e pushtetit për kapjen e KPM-së tinëz, publikon dokumentin