Mirupafshim “peshkaqen”: Gani Jakupit i skadon sot kontrata 90 mijë euroshe të angazhuar nga Donika Gërvalla

Mirupafshim “peshkaqen”: Gani Jakupit i skadon sot kontrata 90 mijë euroshe të angazhuar nga Donika Gërvalla

Sot i themi lamtumirë, punës një-vjeçare të tashmë të njohurit me nofkën “peshkaqeni” – Gani Jakupi. Këtij të fundit i skadon sot kontrata që e kishte lidhur përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e udhëhequr nga Donika Gërvalla e ku për një vit mori 90,000 euro, apo 7,500 euro në muaj. Tash, se a do t’i vazhdohet të njëjtit kontrata apo jo, mbetet të shihet. 

Periskopi në vitin e kaluar ka raportuar ekskluzivisht për pagën marramendëse që merr konsulenti i ministres Donika Gërvalla. Gani Jakupi paguhet nga buxheti i Kosovës, hiç më pak se 7,500 euro në muaj ose 90.000 euro për një vit. Nga përshkrimet online që i bëhen Jakupit, referencën më të shpeshtë rreth tij, mund ta gjeni të përmbledhur kështu: ‘ai është një artist shumë-dimensional’.

Si u mor ky vendim?

Në qershor të këtij viti, Ministria e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi të cilin e kishte publikuar Periskopi dhe mund t’i shihni më poshtë, ia ka deleguar kompetencat e negociimit të një kontrate për ‘super-konsulentin’, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, z.Agron Bajrami.

Eksperti do të gjendej shpejt. Quhet Gani Jakupi dhe jeton në Barcelonë të Spanjës.

Për ta gjetur konsulentin, Ministria e Jashtme kishte hapur ofertë më 13 qershor 2023 dhe dy ditë më vonë, pra më 15 qershor 2023, Komisioni vendos të mblidhet për ta përfunduar procesin e vlerësimit (të kandidatit, v.j).

 

 

Katër ditë më vonë, më 19 qershor 2023, Ministria e Jashtme e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi, ia delegon kompetencat për këtë proces, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, z.Agron Bajrami (shih vendimin më lart). 

Ky i fundit, nëpërmjet vendimit të MPJ-së, të datës 19 qershor 2023, merr kompetencën që i delegohet për super-këshilltarin dhe të nesërmen, më 20 qershor 2023, lidh kontratë me Gani Jakupin – që sipas saj, referohet si ‘Konsulent i Jashtëm për Çështje Kulturore dhe Mediatike’.

(Kontrata) 

Periskopi ka pasë informacione muaj më parë (bëhet fjalë për vitin e kaluar) për kontratat e majme që Ministria e Jashtme ka lidhur me disa persona – për çështje të kësaj natyre – si në këtë hulumtim dhe për të njëjtën temë, një muaj më herët ka kërkuar qasje në dokumente publike (ashtu siç e lejojnë dispozitat e ligjit Ligjit Nr. 06/L-081) lidhur me kontratat në fjalë.

Prej atëherë e deri sot, nuk kemi një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Por e kemi një prej kontratave, si kjo e z.Gani Jakupi.

(Aneksi i kontratës) 

Ministrja Donika Gërvalla e vlerëson lart Gani Jakupin

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në kohën kur Periskopi raportoi rreth pagës së Gani Jakupit, ajo tha se shuma e 7,500 eurove nuk është pagë mujore, por një shumë modeste për lobimin që ai e bën

“Me këtë shumë modeste që nuk është pagë mujore është shumë modeste për gjithë lobimin që bën. Ai nuk është këshilltar i imi, ai ka një kontratë. Më vjen keq që Gani Jakupi përballet me një fushatë të tillë”, kishte deklaruar ajo.

Kush është Gani Jakupi – Konsulenti që i kushton shtetit të Kosovës 7 mijë e 500 euro në muaj?

Referuar të dhënave online dhe intervistave të z.Jakupi për mediume të ndryshme shqiptare (televizione dhe media online), Gani Jakupi është i njohur në fushën e romanit grafik, stripit, muzikës xhaz dhe gazetarisë.

Ai është aktiv në rrjetin social ‘X’, aty ku vërehen edhe disa mesazhe mbështetëse për kryeministrin Albin Kurti, si ky i fundit më poshtë, rreth Zajednicës.

Sipas Ligjit për paga në sektorin publik, paga e një ambasadori të Kosovës, është 1 mijë e 344 euro. Këshilltari e ka pagën 882 euro. Konsulli e ka pagën 798 euro, zëvendës konsulli e ka koeficientin 7.2 dhe paguhet 756 euro, ndërsa agjenti- Konsullor paguhet 609 euro. Të njëjtën pagë dhe koeficient ka edhe atasheu.

Ministria e Punëve të Jashtme, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, në vazhdimësi ka qenë në qendër të kritikave për punën e dobët. Madje edhe vetë brenda Ministrisë, kanë shpërthyer pakënaqësi ku veçojmë të fundit para një jave, atë të Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, e cila e ka përshkruar si  ‘alarmante situatën në Ministrinë e Jashtme’.

Kjo Ministri, e cila paguan 7,500 euro në muaj, këshilltar për takime me media e gazetarë të Parisit dhe Brukselit, nuk ia ka arritur ta shkruajë as një raport kredibil madje as për agresionin e Serbisë në Kosovë më 24 shtator.

Super-këshilltari i Gërvallës dikur e krahasonte veten me peshkaqen

Republika e Kosovës, nuk e ka asnjë njohje që prej ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti dhe udhëheqjes së diplomacisë nga Donika Gërvalla. Izraeli është shteti i fundit që e ka njohur Kosovën më 4 shtator 2020.

/Periskopi/

Shpërndaje në: