Ministria do që disa punonjës kulture të paguhen sa diplomatët
Sipas kategorizimit që bëhet në këtë Projektligj, të miratuar nga Qeveria e Kosovës në ditën e 30-të të muajit të kaluar, i bie që performuesit e krijuesit artistikë varësisht nga niveli, të kenë pagë të njëjtë edhe me rojtar pylli, truprojë, kuzhinier e shitës. Por me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Qeveria ka vendosur që Projektligjit t’i shtohet edhe një nen që përcakton se çështja e pagave për krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore të rregullohet me një akt të veçantë.
Sipas MKRS-së planifikohet që nëpërmjet një rregulloreje që do të miratohet nga Qeveria, të bëhet ngritja e pagave për këto kategori. Krerët e institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore vazhdimisht janë ankuar dhe kanë kërkuar ngritje e nivelim pagash. Por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Aktualisht punonjësit e këtyre institucioneve zhvillojnë veprimtarinë me koeficient 7 dhe 8 që i bie të marrin pagë mujore bruto 420 e 480 euro. Ka jo pak edhe me koeficient 6. Sipas Ministrisë së Kulturës, kjo çështje është ngritur vazhdimisht derisa po hartohej Projektligji për pagat. Drejtorët e institucioneve të kulturës kanë koeficient 9, që i bie të marrin pagë bruto 540 euro.