Ministria për Periskopin: Ministri Sveçla nuk e njeh personalisht dhe s’ka asnjë komunikim me Boban Bogdanoviqin

Ministria për Periskopin: Ministri Sveçla nuk e njeh personalisht dhe s’ka asnjë komunikim me Boban Bogdanoviqin

Në reagimin e fundit ndaj lajmit të publikuar me video në Periskopi, ku politikani serb Boban Bogdanoviq shihet duke konsumuar substanca narkotike – ky i fundit nënkuptoi se njihet personalisht me ministrin e Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla. Por, nga Ministria jonë e Punëve të Brendshme, në një përgjigje për Periskopin, e kanë mohuar një gjë të tillë….

Politikani serb, z.Boban Bogdanoviq, për të cilin Periskopi publikoi një video ku shihej duke konsumuar substanca narkotike, po vazhdon reagimet ndaj mediumit tonë, madje në njërin prej tyre, na kërkoi burimin e informacionit.

Duke qenë që si gazetarë, në Republikën e Kosovës mbrohemi me ligj në këtë pikë, (Shih: Ligji nr. 04/l-137 për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë), megjithëkëtë, kërkesa e z.Bogdanoviq ishte në atë formë, ku nënkuptonte se ‘burimi jonë i informacionit’ do t’i dërgohej ministrit Xhelal Sveçla.

“Ju lutem kini mirësi dhe më dërgoni adresën e e-mail nga e cila ju është dërguar falsifikimi i thellë në mënyrë që ta përcjell te ministri Svećlja për përpunim të mëtejshëm”, thuhet në një prej reagimeve të fundit të z.Bogdanoviq.

Duke qenë që Periskopi nuk e kuptoi pjesën ‘për përpunim të mëtutjeshëm’, dhe duke qenë që z.Bogdanoviq i referohet personalisht ministrit tonë të brendshëm, z.Xhelal Sveçla, ne kemi dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Brendshme, për t’u interesuar se a njihen personalisht z.Bogdanoviq dhe ministri Sveçla.

Nga kjo Ministri, e kanë mohuar një gjë të tillë, duke thënë se
z.Sveçla nuk e njeh personalisht dhe nuk ka asnjë komunikim me z.Bogdanoviq”.

Referuar pyetjes suaj, ju njoftojmë se Ministri i Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla nuk e njeh personalisht dhe nuk ka asnjë komunikim me z. Bogdanoviq.

Duke pasur parasysh që Policia e Kosovës është agjencion vartës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në këtë rast ai mund t’a ketë pasur fjalën për Policinë e Kosovës (të cilës do duhej t’i drejtohej për çdo shqetësim) por gjithsesi, ritheksojmë që Ministri Sveçla nuk e njeh dhe nuk ka komunikim me z. Bogdanoviq”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Periskopin.

Periskopi dje ka publikuar edhe reagimin e z.Bogdanoviq ndaj artikullit me video të publikuar në mediumin tonë.

Në reagimin e tij, z.Bogdanoviq pretendon se video e publikuar në mediumin tonë është videomontazhë dhe ‘është përpjekje për ta luftuar atë politikisht’.

Ky është reagimi i plotë i z.Bogdanoviq dhe pas tij, Sqarimi i Periskopit:

Reagimi i Bogdanoviq:

Të nderuar,

Në përputhje me ligjin për informim të Republikës së Kosovës, ju lutem të publikoni reagimin dhe adresimin tim të plotë për publikun kosovar në portalin tuaj, lidhur me publikimin e një video të rreme e cila është dërguar në redaksinë tuaj.

Portali juaj Periskopi dje publikoi një videomontazh të njohur më mirë si “deep fake”, me cilësi katastrofike, ku dyshohet se konsumoj opiate me titullin:

“Ekskluzive: Politikani serb që u takua me kryeministrin Albin Kurti, filmohet duke konsumuar substanca narkotike (VIDEO)”

Autori i këtij “deep fake” ka keqpërdorur redaksinë tuaj për të më diskredituar mua dhe agjendën politike të lëvizjes Odgovor(Përgjigje), kryetar i së cilës jam dhe që respektohet nga shumë qytetarë të Kosovës, parti politike dhe komunitetin ndërkombëtar.

Shumë struktura kriminale dhe të sigurisë, veçanërisht nga veriu i Kosovës, të cilat bashkëpunojnë ngushtë me politikanë të caktuar të Kosovës, nuk janë të kënaqura me zgjidhjen përfundimtare dhe marrëveshjen ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të siguronte paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm të Ballkanit Perëndimor, përparimin ekonomik të Kosovës, si dhe integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

Përpjekje të tilla dashakeqe nuk do të më pengojnë dhe nuk do të më dekurajojnë, por do të më motivojnë edhe më shumë në luftën tonë të përbashkët për një shoqëri moderne demokratike, bashkëjetesë dhe partneritet të fortë të shqiptarëve dhe serbëve, anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Sqarim i Periskopit:

Video që ka arritur në adresën tonë të Redaksisë, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga logjistika jonë teknike (montazha) përveç logos së vendosur në video.

Kjo video që ka arritur në redaksinë tonë, është publikuar në kontekstin e informacionit dhe nuk ka ndonjë tendencë ndaj kujtdo.

Ne vlerësojmë dhe respektojmë angazhimin e gjithë politikanëve – pavarësisht se cilit komunitet i takojnë, për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO./Periskopi/

 

Shpërndaje në: