Ministria në telashe: Asfalti afro gjysmë milionë euro te Autostrada e Gjilanit u ndërtua jashtë standardeve
Në Kosovë ndodh ashtu që një kompani e fiton një kontratë për ndërtim, por që nuk shihet kurrë në vendpunishte. Tjera kompani punojnë më pas në atë projekt. Kështu është situata me Autostradën e Gjilanit, pasi i gjithë projekti është në prag të dështimit. Së fundmi, ministrisë së Infastrukturës i ka dalë telashe me njërin kontraktues të cilit obligohet t’ia paguajë gati gjysmë milionë euro, ndonëse asfalti nuk është shtruar konform kontratës. Se është jashtë standardeve, e ka konstatuar edhe laboratori kroat…
Në vitin 2018, Ministria e Infrastrukturës kishte nisur së ndërtuari Autoudhën A7.1 që njihet edhe si Autostrada e Gjilanit. Pos zvarritjes së madhe të punëve që po bëhen aty, në disa pjesë edhe punimet nuk janë duke u kryer sipas standardeve.
Për jetësimin e projektit qenë nënshkruar 8 kontrata. Kontratën -lot 2 e pati fituar kompania nga Shqipëria “Gjoka Konstruksion” në një vlerë prej 5, 906, 293, 67 euro. Por, siç ka mësuar Periskopi, në këtë segment nuk ka punuar asnjëherë kompania nga Shqipëria, por ajo nga Kosova “Kag Asphalt”, e cila njëherësh ka nënshkruar kontratë me ministrinë edhe për lot VI për këtë projekt, në një vlerë prej 11.6 milionë euro.
Bazuar në dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik, shitja e 100 për qind të punëve te një kompani tjetër është veprim i kundërligjshëm. Konkretisht kjo bie ndesh më Udhëzuesit Operativ Për Prokurim Publik neni 18.11.
Derisa cilësia e punimeve është shumë e dyshimtë edhe në lotët tjera, Periskopi ka mësuar se te lot II, ministrisë do t’i dalin telashe. Kjo për faktin se kompania punëkryese nuk e ka shtruar asfaltin ashtu siç e ka pasur të cekur në kontratë që të jetë me gur eroptiv, por i njëjti është shtruar me gur gëlqeror, që është i cilësisë më të dobët dhe është shumë më i lirë në treg, ndërsa pagesa pritet të merret për gur eroptiv.
Autostradat në Kosovë, pos kësaj, të gjitha janë të ndërtuara me gur eroptiv.
Ndonëse në atë segment rrugor, shtresa e asfaltit nuk është punuar sipas kontratës, kompania ka faktuar afro gjysmë milioni euro në ministri për të marrë hakun e punëve të saj.
Periskopi ka mësuar se ministria nuk po ia bën pagesën pasi asfalti nuk është shtruar sipas kontratës.
Mësohet së, fillimisht mostrat për analiza të asfaltit janë marrë nga laboratori që është i kontraktuar nga ministria dhe ato nuk kanë dalë sipas standardeve. Të njëjtat janë dërguar për një verifikim edhe në Kroaci, ku kanë nxjerrur rezultatet e njëjta sikurse ato të laboratorit në Kosovë.
Për të gjitha këto, Periskopi ka kërkuar një përgjigje dhe nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Pra, MMMPHI është në pozitën kur në rrugë është shtruar cilësi më e dobët e asfaltit dhe nuk po bëhet pagesa, dhe pyetja që do të shtrohej do të ishte “Çka pastaj”.
Para pakë ditëve, krerët e MMPHI kanë dal në një konferencë për media për të dhënë lajmin se këtë vit do të nisë vazhdimi i Autoudhës Podujevë -Prishtinë.
Periskopi e ka pyetur zv ministrin, Hysen Durmishi se sa jeni të kënaqur më cilësinë e punimeve që po bëhen nga kontraktorët e ministrisë, dhe ai na ktheu këtë përgjigje.
“Në përgjithësi nuk jam i kënaqur më cilësinë e punimeve në të gjitha projektet që po ndodhin. Jemi duke bërë hapa konkret pozitiv në rritje të cilësisë. Do të kemi edhe një kontratë për revidim të projekteve në mënyrë që të sigurohemi që projektet të jenë sa më të mira, sepse gjatë rrëzimeve ka shumë probleme. Pos, laboratorit që e ka të kontraktuar ministria për të kontrolluar cilësinë e projekteve aty ku ndërton ministria, jemi duke përgatitur një marrëveshje më Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës, në mënyrë që të marrim mendimin e tyre profesionale për çdo projekt”, ka thënë Durmishi.
Në tërësi, projekti është në realizmin e më pak se 50 për qind të punëve finale, ndërsa mësohet se pagesat për të janë bërë për rreth 80 për qind. Për më keq, ministria ka nisur të bëjë pranimin teknik të pjesshëm për shumë lot, gjë që ekzistoni frika se ato, pasi të marrin avancin e parave që janë lenë pengë në ministri në vlerë prej 15 përqind të totalit të kontratës, mund të braktisin punimet.
Tre zyrtarë të ministrisë dhe ish sekretari tashmë janë duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për keqpërdorim të pozitës kur kanë lidhur tetë kontrata për këtë projekt në vitin 2018.
Hetimet më të mëdha kryesisht janë të koncentruar edhe te lot 2, të cilën e kishte fituar kompania nga Shqipëria. /M.B-PERISKOPI/
Lexo edhe: