Ministria e Pecit pagoi 66 mijë euro për t’i larguar mobiliet që nuk ekzistonin në objektin ku pati selinë AAK-ja

Ministria e Bujqësisë ka paguar 66 mijë euro për heqjen e mobilieve nga secila prej 33 hapësirave të ndërtesës ku e kishte selinë AAK-ja, përfshirë salla, korridore e banja. Por, një video të cilën e ka siguruar KOHA, tregon se kur AAK-ja u largua, këto hapësira ishin boshe. Në Ministri nuk dhanë një arsyetim për këtë.
66 mijë euro të buxhetit të shtetit i janë dhënë një konsorciumi, për ta larguar inventarin që nuk ekzistonte në objektin e Ministrisë së Bujqësisë, ku për vite e pati selinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, transmeton Periskopi.
Ministria pagoi nga 2 mijë euro për heqjen e mobilieve nga secila prej 33 hapësirave të ndërtesës, përfshirë salla, korridore e banja. Por një video të cilën e ka siguruar KOHA, tregon se kur AAK-ja u largua, këto hapësira ishin boshe.
Shuma e njëjtë u dha edhe për tualete që nuk kanë inventarë, e krahas kësaj, për secilën nga to u pagua edhe për demolimin e elementeve sanitare. Vetëm për njërën nga to u paguan 1 mijë e 500 euro.
Për këto shërbime dhe rinovimin e më pak se 600 metrave katrorë, Ministria e Bujqësisë i ka shpenzuar 370 mijë euro.
Në Ministri nuk dhanë një arsyetim për këtë, dhe nuk iu përgjigjën pyetjes se si është e mundur që te specifikat teknike në dosjen e tenderit, vendosën çmime të njëjta për 33 hapësira, që për nga madhësia kanë dallime të mëdha njëra me tjetrën.
Ministria arsyetoi disa dallime të tjera në çmime, dhe u justifikua se pati vetëm një pjesëmarrës në tender.
“Gjatë implementimit të kontratës, këto dallime janë evidentuar nga menaxheri i kontratës dhe janë zbatuar në përputhje me ofertën e tenderit. Për më tepër, nuk ka pasur aspekte të diskriminimit, pasi operatori në fjalë ka qenë i vetmi pjesëmarrës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Kontrata në vlerë 359 mijë euro është lidhur me konsorciumin e përbërë nga kompanitë “Limit Projekt” dhe “Lurn”. Asaj i është bashkëngjitur edhe një anekskontratë në vlerë rreth 9 mijë euro të tjera.
Pronarë të “Limit Projekt” janë Faton Ramadani dhe Lulzim Zaraj, ndërsa i asaj “Lurn” – Albana Shabanaj.
Në kompaninë “Limit Project” thanë se inxhinierët i kanë vendosur çmimet e njëjta për secilën hapësirë që lidhet me largimin e inventarit.
“Te përsëritja e çmimeve, kështu e ka vlerësuar inxhinieri, i cili ka plotësuar çmimet dhe nuk ka pasur vizitë në terren”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.
E, pa hyrë në çështjen që lidhet me pagesën e bërë për heqjen e inventarit që nuk ekzistoi, një arkitekt e vlerësoi si jashtëzakonisht të lartë vlerën e gjithë kontratës, që përfshin edhe rinovimin.
“Shuma prej 350.000€ për rinovimin e një objekti 600 m² rezulton në rreth 583€/m², një kosto që tejkalon ndjeshëm mesataren e tregut për rinovime të ngjashme. Në bazë të standardeve të ndërtimit dhe çmimeve të tregut, një rinovim cilësor për këtë lloj ndërtese duhet të llogaritet në 100.000€ – 150.000€ (pra 166€ – 250€/m²), varësisht nga materialet dhe specifikimet teknike. Mungesa e një shpjegimi të detajuar përse çmimi është kaq i lartë sugjeron se ka mbivlerësime ose kosto të pajustifikuara në kontratë”, ka thënë ai.
Derisa stafi të bartet në objektin e rinovuar, Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë të paguajë nga 27 mijë e 300 euro në muaj për objektin me qira që shfrytëzohet nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, pronë e kompanisë “A2 GROUP”, për çka ka kontratë valide deri në gusht të këtij viti.
Shumën e njëjtë do ta paguajë edhe për pjesën ku është i vendosur stafi i Ministrisë së Bujqësisë.
KOHA kishte raportuar disa herë për objektin që e shfrytëzonte AAK-ja e që ishte e Institutit Bujqësor të Kosovës, i cili funksionon nën kupolën e Ministrisë. Ajo ka bodrumin, katin përdhes dhe dy kate të tjera, me një hapësirë prej rreth 1 mijë metrash katrorë.
Për këtë, AAK-ja paguante një qira simbolike, 2.5 euro për metër katror. Kësisoj, kontrata me këtë institucion ishte 2.450 euro për muaj.
Ndërkaq, Ministria paguan më shumë se shtatë fish më shtrenjtë për qiranë ku e ka dislokuar këtë vit stafin.
Qiraja që nga shtatori i 2019-s Ministria paguan për metër katror është 18 euro, ndërsa në 2022 ai ishte zbritur për 0.50 euro, përkatësisht në 17.50 euro për metër katror.