Ministria e Mbrojtjes: FSK-ja merr dritën e gjelbër nga SHBA-ja për blerjen e helikopterëve
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë dritën e gjelbër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në blerjen e helikopterëve, radarëve dhe mbrojtjes ajrore – ka deklaruar Ministria e Mbrojtjes.
Siç thekson Minstria, kjo është konfirmuar nga vizita zyrtare në SHBA e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit.
“Mbështetja e SHBA-së përbën një shtyllë të rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës, si një vend me vizion euroatlantik. Mirënjohje të thellë për aleatin tonë të përhershëm, SHBA-në, për ndihmën dhe besimin e vazhdueshëm.” – citohet ministri Maqedonci, në postimin e publikuar më 15.01.2025 nga Ministria e Mbrojtjes.
Më tej thuhet se ministri Maqedonci shtoi se kjo iniciativë “jo vetëm që rrit aftësitë operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe forcon pozicionin tonë si partner i besueshëm në rajon dhe më gjerë”.
Më 14.01.2025, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, bashkë me delegacionin përcjellës gjatë vizitës së tyre në SHBA janë pritur nga ndihmëssekretari i Mbrojtjes për NATO dhe Europë, Alton Buland në Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara.