Ministria e Infrastrukturës vazhdon të ia “trashë” xhepin oligarkëve të Fierit, i ndan edhe 300 mijë euro për rrugën Podujevë-Prishtinë
Ministria e Infrastrukturës ka ndarë përmes kontratës së negociuar edhe afro 300 mijë euro për kompaninë ‘Agbes Construktion’, e cila është në konsercium me operatorë të tjerë ekonomikë, për lotin 3 të rrugës Podujevë-Prishtinë. Për të njëjtën arsye këtyre kompanive i ishin ndarë edhe 600 mijë euro të tjera në qershor. Vlera e përgjithshme tanimë e kësaj kontratë ka arritur afro 10 milionë euro, nga 9 milionë sa ishte në fillim. Insajderi ju sjell detaje për milionat që shkuan për kompaninë nga Shqipëria.
Ministria e Liburn Aliut, me një kontratë të negociuar me 29 nëntor dha sërish para për rrugën Podujevë-Prishtinë.
Ministria e Infrastrukturës i ndau 288 mijë euro kompanisë “Agbes Construksion”, me seli në Fier të Shqipërisë, të cilët janë në konsercium me firmat Arbotec”. Shpk; “Geo Construction” Shpk; “Mineral L.L. C”; “MB Group” Shpk për Lotin 3 të kësaj rruge.
Në dosjen e tenderit janë përmendur edhe punët që do kryhen ku thuhet se do bëhet projektimi i rrugës, punët ndërtimore ne seksionin e rrugës, punët përgatitore, demoluese, tokësore, montuese, betonit dhe armatures.
Por, kjo nuk është kontrata e vetme e ndarë nga ky dikaster për punë shtesë në këtë tender.
Gazeta në qershor ka raportuar se ishin ndarë 600 mijë për përmes kontratës së negociuar për punë shtesë.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, kishte sqaruar se i tërë segmenti i rrugës Prishtinë-Podujevë i cili do të zgjerohet do të jetë me pesë llote.
16 km nga Lluzhani deri në Bërnicë do të jetë e ndarë në katër llote dhe lloti i pestë është përfundimi i rrugës nga Lluzhani deri në Podujevë, që përbën segmentin prej 9 kilometrash.
‘Agbes Construction’ ishte kritikuar nga mediat në Shqipëri për mungesë të përvojës në punët e autostradave.
Historiku i oligarkëve nga Fieri
Arben Goga, njëri nga dy pronarët aksionarë të kompanisë është përfolur shpesh si njeriu që fiton pjesën dërrmuese të tenderëve në Bashkinë e Fierit.
Ai ishte përfitues i një tenderi të madh në një koncesionin abuziv për segmentin Lekaj-Konjat-Fier.
Në bazë të të dhënave në ‘Open Procurement Albania’, kompania e tij figuron se ka fituar shumicën e tenderëve në Fier.
Mediat në Shqipëri Arben Gogën dhe Bashkim Ramajn shpesh e lidhin për afërsi politike me kryebashkiakun e Fierit Armando Subasi.
Vitin e kaluar u raportua se si Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte gjetur se “AGBES Construksion” kishte blerë për herë të parë kamionë dy muaj përpara hapjes së një tenderi për ndriçimin e Feirit, në vlerë milionëshe.
AGBES Construksion” edhe pse kishte 15 vite që ishte themeluar, nuk kishte në pronësi asnjë mjet për kryerje punimesh. Dy muaj para se të hapej ky tender, siç është deklaruar vetë në Qendrën Kombëtare të Biznesit janë blerë 27 kamionë e autobetoniere.
Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit tutje thuhet se mbikëqyrësi i punimeve që ka firmosur kryerjen e punëve nga kompania “AGBES Construksion” dhe kolauduesi i tyre, kanë qenë pa licensë dhe në shkelje të plotë të ligjit.
Aty edhe përmendet se në 14 nga 24 segmentët rrugorë të përfshira në marrëveshje s’është punuar në to.
“Në 14 nga 24 segmentet rrugorë të përfshira në marrëveshjen kuadër, nuk është punuar, duke ndryshuar segmentet rrugorë dhe njëkohësisht kushtet e marrëveshjes kuadër, në kundërshtim me VKM nr. 914, datë 29.12.2014”.
Kompania e Gogës dhe Ramajt pushtetit të Fierit “hairin” ia kishte parë edhe në ndërtim. Për këtë kishte shkruar ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke iu thënë atyre miq të Edi Ramës.
“Paradoksi qendron ne faktin se, pikerisht mbi objektin tone do ndertoje qender komerciale nje prej klienteve te Rames, mbeshtetur nga kryetari Bashkise Armando Subashi. Qendra e qytetit po zhvendoset prapa, matane lumit Gjanica, sepse atje do ndertohet kulla mbi pallatin e sportit, e cila do i perkase dy klienteve te tjere te Rames”, thuhej ndër të tjera në një postim të tij.
Tenderi për rrugën Podujevë-Prishtinë, në llupën e Prokurorisë Speciale
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, iu ka ikur rrugëve ligjore për t’ua mbushur xhepat me para – si fillim dostit të tij, Bujar Shabanit – e më pas “bosëve” të tjerë të tenderëve si Hektor Beqiri, Florent Emini e Fatlum Pireva.
Për këtë, ai ishte paraqitur pranë Prokurorisë Speciale për intervistim si njëri nga tre personat që ka nënshkruar kontratën pa shqyrtuar ankesën e njërës kompani në OSHP.