Ministria e Infrastrukturës e vulos kundërligjshëm tenderin Prishtinë – Podujevë

Ministria e Infrastrukturës e vulos kundërligjshëm tenderin Prishtinë – Podujevë

Është hapur në janar dhe është nënshkruar pas gjashtë muajve. Ministria e Infrastrukturës e cila po udhëhiqet nga zëvendësministri, Hysen Durmishi  e ka vulosur tenderin “Zgjerimi i rrugës Nacionale N25, Prishtinë- Besi – Podujevë. Pesë kontrata janë nënshkruar dje pasdite për këtë projekt. Veçse rrugët që ka zgjedhur për të lidhur kontrata për këtë projekt janë të jashtëligjshme, shkruan Periskopi.

Prokurimi Ministrisë e ka shkelur ligjin edhe njëherë në momentin që ka nënshkruar kontratat. Kjo për faktin se në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP ka qenë një ankesë e dorëzuar nga një kompani.

Ligji i Prokurimit Publik, konkretisht, rregullorja nr. 001/2022 për Prokurimin Publik ka specifikuar qartë se Autoriteti Kontraktues, nuk mund të nënshkruajë një kontratë, derisa të shqyrtohet ankesa që një Operatorë Ekonomikë e ka dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Përveç nëse paneli përkatës shqyrtues nxjerr një vendim tjetër me shkrim dhe përderisa ta nxjerrë këtë vendim, dorëzimi i një ankese e obligon autoritetin kontraktues që automatikisht ta pezullojë aktivitetin e prokurimit me të cilin ka të bëjë ankesa në fjalë”, thuhet ne neni 66 tek kapitulli “Efekti pezullues i ankesave”. Ministria, jo që nuk e ka pezulluar aktivitetin e vet, por ankesës i është përgjigjur më nënshkrim të kontratave.

Periskopi nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës së sotme lidhur më të se a është i ligjshëm vendimi për nënshkrim të kontratave, pa u trajtuar ankesa në OSHP.

Lidhur më këtë, Periskopi është në pritje të një përgjigje edhe nga OSHP-ja.

Totali i kontratave kapë vlerën prej 34.2 milionë euro.

Për lot 0 është rekomanduar Grupi Operatoreve Ekonomik: “Pro& Co Group” Shpk; “Levantia Ingenieria Y Construccion sl”  në vlerë prej 6. 484, 854, 58 euro.

Për lot 1, Grupi Operatorëve Ekonomik “2 A Group” Shpk; “Vega” shpk, në vlerë prej  8, 447, 477.70 euro.

Për lot, 2 Grupi Operatorëve Ekonomik “Bujar Shabani B.I” ; “Kosova Asfalt” Shpk’; “Bageri-1” Shpk; “El-Bau” Shpk, në vlerë prej  8, 644, 259.75 euro.

Për lot 3 Grupi Operatorëve Ekonomik “Agbes Construksion” Shpk; “Arbotec”. Shpk; “Geo Construction” Shpk; “Mineral L.L. C”; “MB Group” Shpk, në vlerë prej 9, 254, 811. 42 euro.

Për lot 5 Grupi Operatorëve Ekonomik “Beni- Com” Shpk; “Saba Belca” -Dega në Kosovë; “Sherif” Shpk, në vlerë prej 1, 443, 784. 50 euro.

 

Kjo nuk ka qenë shkelja e vetme që ka bërë prokurimi minsitrisë.

Në garë kanë qenë rreth 25 subjekte, kryesisht kompani në konzorcium, në mesin e të cilave ka pasur edhe oferta më të lira, por janë eliminuar nga gara për arsye të ndryshme.

Menjëherë sapo janë shpallur ftuesit, para disa javësh, disa prej kompanive, nuk janë pajtuar me vendimin e prokurimit të ministrisë, kur i ka shpallur të papërgjegjshme, edhe me vendimin për rekomandim për kontratë për kompanitë e lartcekura. Menjëherë pas vendimit, në afatin ligjor prej 5 ditëve, disa nga to kanë bërë kërkesë për rishqyrtim (ankesë) tek zyra e prokurimit të ministrisë.

Bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, ministria menjëherë më 7 qershor (e mërkurë) e ka pezulluar vendimin e vetë për rekomandim për kontratë për të shqyrtuar ankesat.

Pasi kanë kaluar vetë 24 orë, (të enjten) i ka njoftuar operatorët ekonomikë për rezultatin e rishqyrtimit të ankesave. Janë miratuar ankesat që lënda të shkojë në rivlerësim për lot 2 dhe 5, ndërsa pë lot 0, 1, 3 janë hedhur poshtë. Më këtë rast, ministria është dashur të presë 10 ditë për të hequr vendimin për pezullim, dhe të marrë një vendim tjetër.

Kjo  pasi operatorët ekonomik kanë të drejtë prej 10 ditësh, pas pranimit të vendimit të ministrisë (e enjte, 8 qershor) që të ushtrojnë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ministria nuk e ka pritur këtë, por e ka ngarkuar në e-prokurim vendimin për dhënie të kontratës për tre lot, 0, 1 dhe 3.

Ky vendim bie ndesh më Ligjin e Prokurimit Publik, konkretisht më legjislacionin sekondarë “Rregullore nr. 001 -2022 për Prokurimin publik”.

Neni 61 i kësaj rregullore flet për hapat e Pezullimit të aktivitetit të prokurimit dhe veprimeve të më pasme.

“61.1 Parashtrimi i kërkesës për rishqyrtim automatikisht pezullon procedurën e prokurimit dhe në ketë rast Autoriteti Kontraktues, respektivisht Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit, duhet të njoftoj me shkrim të gjitha palët lidhur me pezullimin e procedurës së prokurimit në fjalë.

Kurdo që pezullimi i përmendur ndërlidhet me vendimin e AK për dhënie të kontratës, pezullimi i tillë nuk do të përfundojë para skadimit të një periudhe prej të paktën 10 ditë kalendarike nga data e publikimit të vendimit të AK”, thuhet decitivisht në këtë rregullore.

Ndërkohë, siç shihet nga dokumentet e ngarkuara në E-Prokurim, ministria e ka hequr pezullimin pas 4 ditëve.

 

Ditë më parë, Periskopi ka raportuar se për kontratë, lidhur më këtë tender janë rekomanduar disa dosta të shefit të prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, dhe zëvendësministrit, Hysen Dumrishi.

Periskopi ka raportuar edhe se prokurimi i ministrisë nuk ka përfillur një opinion të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publikë -KRPP lidhur më një kriteret të kundërligjshëm që e ka aplikuar në këtë procedurë tenderuese.

Po ashtu, nga të gjeturat ka rezultuar se prokurimi i Ministrisë ka vendosur kritere vlerësuese për dhënie të kontratës që janë në kundërshtim Ligjin e Prokurimit Publik./M.B -Periskopi/

 

 

 

Shpërndaje në: