Ministri Vengu: Po e rijetësojmë industrinë ushtarake – në këtë proces edhe Kosova duhet të gjejë veten
Në një intervistë për Klankosova.tv, ai ka theksuar se Kosovës i duhet që t’i përfundojë disa detyra të shtëpisë sa i përket anëtarësimit në NATO, të cilat sipas tij, në momentin e sigurisë aktualisht në rajon janë detyra kryesisht të natyrës politike të bashkërendimit politik me aleancën NATO.
Ndër të tjera, ai ka thënë se mbështetja e Shqipërisë ndaj Kosovës është duke vazhduar, duke treguar edhe gjërat që i kërkoi për Kosovën në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s.
Deklarata pozitive ai pati edhe për bashkëpunimin mes dy ushtrive të shteteve tona, i cili ka ndarë projektet që po bëhen së fundi mes FASh-it dhe FSK-së.
Vengu tha se Shqipëria po bën një punë domethënëse për të rijetësuar industrinë ushtarake dhe shtoi se “në këtë proces edhe Kosova duhet të gjejë veten dhe benefitin e saj”.
“… kështu që mund të shkojmë përmes partneriteteve për të bërë, për të porositur mjete e pajisje dhe materiale në mënyrë të përbashkët për të ulur kostot, për të pasë një ndërveprueshmëri më të mirë midis të dyja forcave”, potencoi ministri shqiptar, Pirro Vengu.