Ministri shqiptar në Qeverinë e Malit të Zi: Deklaratat e Zëvendëskryeministrit për Kosovën qëndrim personal, është vijë e kuqe për ne

Ministri shqiptar në Qeverinë e Malit të Zi: Deklaratat e Zëvendëskryeministrit për Kosovën qëndrim personal, është vijë e kuqe për ne

Si “qëndrim personal” e ka konsideruar ministri shqiptar për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Qeverinë e Malit të Zi, Fatmir Gjeka, deklaratën e Zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Milun Zogoviç, se “Kosova është pjesë e Serbisë”, derisa ka theksuar se për shqiptarët kjo çështje është “vijë të kuqe”.

Këto komente, Gjeka i ka bërë në një përgjigje për Albanian Post, ku ka bërë të ditur se për deklaratën e Zogoviç-it, do të kërkojnë në seancën e ardhshme të ekzekutivit malazez qëndrim nga anëtarët e tjerë të qeverisë.

“Në seancën e parë të Qeverisë do ta bëjmë këtë pyetje dhe do të kërkojmë nga anëtarët e tjerë të Qeverisë që të shprehen për këtë deklaratë”, tha Gjeka për AP.

Zogoviç është pjesë e koalicionit “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, të njohur për qëndrimet e tyre pro ruso-serb. Këtë koalicion, Milojko Spajiç, lideri i Lëvizjes “Evropa Tani”, për t’u bërë kryeministër e kishte bërë pjesë të shumicës, madje ua kishte dhënë edhe postin e Kryetrait të Kuvendit, të cilin e mban Andrija Mandiç, i cili Vladimir Putin-in e Rusisë e konsideron si president të tij.

Fillimisht forcat pro ruso-serbe kishin vetëm Kryetarin e Kuvendit, ndërsa së fundmi janë bërë edhe pjesë e qeverisë së Spajiç-it, duke marrë poste të rëndësishme, siç është kjo që e mban Zogoviç.

Por, kur Spajiç kishte arritur marrëveshje me disa parti politike në Mal të Zi, përfshirë këtu disa parti shqiptare dhe ato pro serbo-ruse, të gjitha kishin nënshkruar atë që njihet si marrëveshja e parimeve.

Aty thuhet se do ta mbështesin integritetin territorial të Ukrainës, si dhe sanksionet kundër Rusisë, forcimin e mëtejshëm të pjesëmarrjes së Malit të Zi në NATO, avancimin e të drejtave të pakicave, mbështetjen e pa diskutueshme të sovranitetit të vendeve fqinje, përfshirë edhe të Kosovës.

“Deklarata e nënkryetarit Zogoviç është qëndrim i tij personal. Sepse, me hyrjen në Qeverinë e Malit të Zi, ne kemi nënshkruar një marrëveshje politike ku thuhet se nuk ka ndryshim në politikën e jashtme të vendit. Dhe kjo nënkupton zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Republikën e Kosovës”, thotë Gjeka për AP.

Por, në këtë mënyrë, me këto deklarata skandaloze, Ministri shqiptar në qeverinë e Malit të Zi thekson se Zogoviç-i dhe subjekti i tij “e shkatërrojnë atë marrëveshje”.

“Kjo është një vijë e kuqe për ne dhe ata e dinë mirë”, paralajmëron Gjeka.

Në një intervistë për median malazeze “Aplus”, zëvendëskryeministri Zogoviç ka thënë se me futjen në qeverinë e Spajiç-it, nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket Kosovës. Ai ka propaganduar se “Kosova është krahinë jugore e Serbisë”.

“Sa i përket obligimeve ndërkombëtare të Malit të Zi, gjithçka do të respektohet, por unë kam mendimin tim se Kosova është pjesë e Serbisë e shkëputur qëllimisht. Këtë qëndrim e kam shprehur në Kuvend, pak ditë para se të hyja në Qeveri”, ka deklaruar Zogoviç, ndonëse zyrtarisht kryeministri Spajiç dhe pjesa dërrmuese e kabinetit të tij e pranojnë dhe e përkrahin realitetin sa i përket Kosovës..

Me të ardhur në pushtet Lëvizja “Evropa Tani”, me kryeministër Milojko Spajiç, shumë njohës ndërkombëtar të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor kanë shprehur shqetësimin në lidhje me orientimin që mund ta ketë qeveria malazeze, duke qenë se pjesë e saj janë edhe forcat pro ruso-serbe.

Shqetësimet ishin rritur kur Andrija Mandiç-i, një pro ruso-serb që shfaqet në selinë e Partisë Progresive Serbe (SNS) – partia e Aleksandër Vuçiç-it – gjatë proceseve elektorale në Serbi, kishte marrë postin e Kryetarit të Kuvendit.

Përveç kësaj, Mandiç është shprehur dhe vazhdon të shprehet hapur kundër pavarësisë së Kosovës. Ai madje kishte mbajtur grevë urie kur Mali i Zi e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Nga ana tjetër, shqiptarët që janë pjesë e ekzekutivit të Spajiç-it (kanë tri ministri, përfshirë një pozitë të zëvendëskryeministrit), kanë deklaruar se nuk do të qëndrojnë në asnjë moment në qeveri në rast se ndryshon qëndrimi i shtetit malazez sa i përket Kosovës.

Ndryshe, Kosova dhe Mali i Zi kanë qenë vende përbërëse në kuadër të Jugosllavisë, por me statuse të ndryshme.

Mali i Zi ka qenë një nga gjashtë republikat e Federatës Jugosllave, ndërsa Kosova ishte krahinë autonome në kuadër të Serbisë, dhe kjo deri në vitin 1989, kur presidenti fashist i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç e suprimoi atë.

Mali i Zi është vendi i fundit që është shkëputur nga Jugosllavia, dhe kjo jo më larg se në vitin 2006. Lëvizjen për shkëputjen nga Jugosllavia e kishte udhëhequr ish-presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

Kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj, më 17 shkurt të vitit 2008, Mali i Zi vetëm disa muaj më pas, saktësisht me 9 tetor 2008, e kishte njohur pavarësinë e saj. Kryeministër në atë kohë ishte Gjukanoviç.

Njohja nga Mali i Zi për Kosovën ishte mjaft e rëndësishme, pasi që një vend fqinje po pajtohej me mëvetësinë e saj. Ishte vendi i 49 që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Shpërndaje në: