Ministri i Sportit dhe kreu i FFK-së takojnë të parin e FIFA-s
Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi janë takuar me të parin e FIFA-s, Gianni Infantinon.
Ata u pritën sot në Shtëpinë e Futbollit në Cyrih, nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino dhe drejtori i FIFA-s për federatat anëtare të Evropës, Elkhan Mammadov.
Kjo vjen pas takimit të djeshëm me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin.
Edhe në këtë takim, temë diskutimi ishte infrastruktura e futbollit në Kosovë.
“Ashtu sikurse në takimin e djeshëm me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin, edhe në takimin me të parin e futbollit botëror, u shpalos plani 5-vjeçar i investimeve të ekzekutivit kosovar në infrastrukturën e futbollit në Kosovë. Ky plan investiv, i cili bëhet në bashkëpunim me MKRS-në, FFK-në dhe Komunat, parasheh përmbylljen e projekteve aktuale të renovimit të stadiumeve, si dhe ndërtimin e stadiumeve të reja me standardet e UEFA-s e FIFA-s. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e përkrahjes financiare nga FIFA si dhe periudha kohore e përmbylljes së punimeve në stadiumet që janë prioritet nga plani i ministrisë”, thuhej ndër tjera në njoftimin e FFK-së për këtë takim.