Ministri i Sportit, Çeku: Lëndimi i policëve në një ndeshje basketbolli është veprim i turpshëm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar ashpër për atë se çka ndodhi në ndeshjen midis Prishtinës dhe Trepçës në finalen e Superkupës.
Çeku theksoi se lëndimi i policëve në një ndeshje basketbolli është veprim i turpshëm, i papranueshëm dhe i dënueshëm.
I pari i Sportit theksoi se grupet e tifozëve, në emër të mbështetjes së klubeve të tyre të zemrës, janë duke e shkatërruar shpirtin sportiv.
“Në një periudhë aspak të lehtë për shtetin tonë për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës, lëndimi i policëve në një ndeshje basketbolli është veprim i turpshëm, i papranueshëm dhe i dënueshëm”, ka shkruar Çeku.
“Sporti nuk është luftë. Palestrat dhe fushat e sportit nuk janë për “trimat” që kanë problem me vetëpërmbajtjen. Për fajin e disave, jemi duke pësuar të gjithë, është duke pësuar sporti i Kosovës. Grupet e tifozëve, në emër të mbështetjes së klubeve të tyre të zemrës, janë duke e shkatërruar shpirtin sportiv dhe duke i shndërruar palestrat dhe fushat e sportit në ambiente të pasigurta për qytetarët sportdashës”, shtoi ai.
“Ndeshjet e sportit janë momente argëtimi për familjet tona, për të gjitha grupmoshat pa dallim. Huliganizmi i disave është shndërruar në tmerrin e prindërve që duan të shijojnë sportin bashkë më fëmijët e tyre”.
Ai shtoi se prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës duhet të jenë më efektive në dhënien e dënimeve për huliganët.
“Këshilli për parandalimin e dhunës në kuadër të Ministrisë së Sportit rregullisht ka trajtuar rastet e dhunës në sport, duke i proceduar ato në institucionet relevante. Prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës duhet të jenë më efektive në dhënien e dënimeve për huliganët”.
“Edhe federatat e sportit duhet të vazhdojnë me veprime dhe vendime të ashpra, pa asnjë kompromis ndaj dhunës. Ministria e Sportit, paralelisht me veprimet e tjera, do të jetë e detyruar të zbatojë edhe veprime radikale për prezencën e tifozëve në palestra dhe fusha të sportit”.
“Këshilli për parandalimin e dhunës në sport do të mbledhet nesër në mëngjes për të trajtuar dhunën e shfaqur në ndeshjen e sontme të basketbollit mes Prishtinës dhe Trepçës.
“Policëve të Kosovës dhe të lënduarve të tjerë u dëshiroj shërim të shpejtë”.