Ministri i Jashtëm i Shqipërisë me kërkesë ndaj Berset: Kosova meriton anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka mirëpritur në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, me të cilin ka biseduar mbi integrimin e Shqipërisë, forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, mbështetjen ndaj Ukrainës dhe anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Në lidhje me këtë të fundit, Hasani ka nënvizuar se anëtarësimi duhet të ndodhë sa më shpejt, ndërsa garantoi mbështetjen e Shqipërisë në këtë proces.
“I lumtur të mirëprisja sot Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, një vizitë veçanërisht simbolike pasi viti 2025 përkon edhe me 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.
Gjatë takimit u vlerësua progresi i Shqipërisë në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, si dhe roli aktiv në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetja e saj për Ukrainën.
Gjithashtu gjeta rastin t’i nënvizoj Berset se anëtarësimi mëse i merituar i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Shqipëria qëndron e palëkundur në mbështetjen ndaj saj, duke e parë si një pikë kyçe për stabilitetin rajonal dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, tha Hasani.