Ministri Çeku flet për rastin e Agim Ademit dhe procesin e licencimit të FFK-së

Ministri Çeku flet për rastin e Agim Ademit dhe procesin e licencimit të FFK-së

I ftuar sonte në emisionin Pressing është Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Ndër tjera, Çeku foli edhe për rastin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit dhe për procesin e licencimit të kësaj federatae.

Ai tha se rasti i Ademit nuk ka të bëjë me të, teksa shteti duhet të ketë një aktgjykim të formës së prerë për t’i thënë që nuk mund të vazhdosh në këtë pozitë udhëheqëse.

“Nuk ka të bëj fare me detyrën time arrestimi i Agim Ademit. Është cështje e gjyqësisë. Një aktakuzë që kishte Ademi një kohë të gjatë u shpall e mbyllur, ra si aktakuzë. Sapo mbaroi ajo histori u hap një tjetër. 48 orë dallim. Çështja e Agim Ademit dhe pika ku lidhet me Ministrinë e Sportit është licencimi i FFK-së. Me udhëzimin tonë të ri administrativ ku kemi vendosur standarde më të larta. Ne kemi pasur komunikim me FIFA-n dhe UEFA-n për rastin që u mbyll tani. FFK-ja e ka miratuar një statut të ri. Licencimi nuk është vetëm për federatën, por edhe për të gjitha klubet. Ky proces është në shqyrtim, por ende nuk ka përfunduar. Rasti i ri i Ademit tani është në fazën fillestare. Organizatat sportive kanë kodet etike. Standardet e etikës janë vet anëtarësia që duhet me i apliku. Shteti duhet me u bazu, me e marrë një aktgjykim të formës së prerë që është dënues edhe me i thënë që ti nuk mundesh me qenë kryetar i federatës, nuk të licencojmë ose ta revokojmë licencën”, tha Çeku.

Kujtojmë se kryetari i FFK-së, Agim Ademi është në arrest shtëpiak për 30 ditë, mes dyshimeve për keqpërdorim të buxhetit të FFK-së dhe shmangies së tatimit.

Shpërndaje në: