Ministri Çeku: E kemi kontestuar Kuvendin e FFK-së dhe ia kemi ndalur financimin, me Agim Ademin të merren institucionet përkatëse
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka folur sonte në emisionin “Pressing” në T7 edhe rreth Federatës së Futbollit të Kosovës, si dhe presidentit të kësaj Federate, Agim Ademit.
Kuvendi i fundit zgjedhor i mbajtur në prill të këtij viti kaloi me polemika të shumta, teksa në fund Ademi e fitoi edhe një mandat katër-vjeçar.
Çeku ka treguar se MKRS-ja nuk ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Kosovës për financimin e saj.
FFK-ja është ndër Federatat e pakta, mbase Federata e vetme e madhe sportive, që shteti ia ka ndalur financimin.
FFK-ja është Federata e vetme dhe e madhe sportive në vendin tonë që nuk ka përkrahje financiare nga Ministria përkatëse.
“Qasja e parë që kam përdorur në raport me sportin ka qenë ekuidistancë më të gjithë. Nuk ka afërsi, nuk ka privilegje. Nuk kemi nënshkruar memorandumin për financimin e FFK-së këtë vit. E kemi kontestuar ligjshmërinë Kuvendin e fundit zgjedhor dhe kemi procedu lëndën tutje për shqyrtim, por pjesa që na takon neve është administrative. Ka një autonomi sportive, të cilën nëse ne e cenojmë, na vijnë dënimet nga UEFA dhe FIFA”, tha Çeku.
Tutje, i pari i MKRS-së foli edhe për kryetarin e FFK-së, Agim Ademin, për të cilin tha se me të duhet të merren Gjykatat dhe institucionet tjera.
“Nëse më thoni se ai [Agim Ademi] ka probleme me ligjin, janë institucionet tjera që ishte dashtë me trajtu këtë rast. Ka edhe Federata tjera problematike. Në disa raste kemi shkuar deri në pezullim të licencave. Unë i përdori mjetet që kam në dispozicion, ligjore. Por, nuk provoj të përdori afërsi me Federatat”, deklaroi Ministri Çeku.