Ministrat e Kurtit në hall me drejtësinë: Gjysma e tyre nëpër gjykata për probleme me ligjin

Ministrat e Kurtit në hall me drejtësinë: Gjysma e tyre nëpër gjykata për probleme me ligjin

Saktësisht më 4 shukurt të vitit 2021, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kishte deklaruar se në qeverisjen e tij nuk do të ketë njerëz me aktakuza. I njëjti kishte dalur me premtime të mëdha se si do të dukej një Qeveri e udhëhequr nga ai.

“Nuk do të kemi në qeveri ministra me aktakuza edhe pse më vjen keq për zyrtarin që e kam emëruar drejtor të zyrës për komunitete në ZKM Nenad Rashic, i cili njëmend ka një aktakuzë. Por mos të harrojmë se prokuroria është pasive aty ku duhet më së shumti e është aktive aty ku s’ka prioritet realisht për drejtësinë”, kishte thënë Kurti në “Jeta në Kosovë”, përcjell Periskopi.

Kryeministri Kurti ka qenë zëri më kritik ndaj përfshirjes së politikanëve me aktakuza në poste ekzekutive nëpër të gjitha qeveritë, por tani që vet është udhëheqës shteti, ai po hesht. Donika Gërvalla, Rozeta Hajdari, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Liburn Aliu, madje edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë të ngritura aktakuza për vepra të ndryshme penale, e disa prej tyre nën hetume nga Agjencia Kundër Korrupsion e Prokuroria e Shtetit.

Periskopi

Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla – Schwarz, akuzohet për mosraportim të pasurisë.

Donika Gërvalla

Ndaj saj, Prokuroria në Prishtinë kishte nisur hetimet për fshehjen e bizneseve që posdeon në Gjermani.

Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.

Më 7 mars, Gërvalla pati seancën e radhës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pas leximit të aktakuzës, ajo u deklarua e pafajshme.

Rozeta Hajdari

Në të njëjtën situatë sikurse Gërvalla, është ballafaquar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ku Prokuroria e shtetit i ka finalizuar një aktakuzë.

Ndaj ministres në fjalë, është ngritur aktakuzë në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, apo dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Rozeta Hajdari

Siç ishte raportuar në media, “N.SH R&V Consulting”, është biznesi që Hajdari nuk e ka deklaruar fare në formularin e AKK-së.

Përvec kësaj, Rozeta Hajdari është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 200 euro gjobë për akuzën lidhur me aksidentin ku goditi një fëmijë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni i Kundërvajtjes në procedurën kundërvajtëse, ka vendosur lidhur me çështjen kundër të pandehurës R.H, për shkak të aksidentit në komunikacion të kundërvajtjes nga neni 53 paragrafi 1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor e ndërlidhur me nenin 255 paragrafi 2 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, në bazë të nenit 55 paragrafi 2 dhe nenit 77, 86, 119, 124, 127 të Ligjit për Kundërvajtje, si dhe në bazë të nenit 289 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Albulena Haxhiu

Është ministre e Drejtësisë, por është përballur edhe vetë me drejtësinë. Bëhet fjalë për ministren Albulena Haxhiu, ndaj së cilës ajo akuzohej për “armëbajtje pa leje”, në lidhje me veprimet e saja të shkaktuara në Kuvendin e Kosovës me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në vitin 2016.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i cili rezulton të jetë marrë më 14 tetor 2022 është thënë se Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe çështja kthehet në gjykatën e shkallës së parë në rigjykim.

Albulena Haxhiu

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i ka liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.

Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, njëjtë si ministrja Albulena Haxhiu, akuzohet për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kur ishte paraqitur në gjykatë më 29 korrik të vitit 2022, Nagavci thoshte se nuk ishte fajtore, ani pse kishte pasur në posedim një sprej me mbishkrimin “NATO sprej”.

Arbërie Nagavci

Veprimin e saj ajo e arsyetonte me faktin se veprimet e saja kanë qenë të natyrës politike.

“Unë konsideroj ashtu siç e kam thënë në vazhdimësi, unë e kam pas në posedim sprejin me mbishkrimin “nato sprej” dhe se konsideroj se nuk jam fajtore ashtu siç vërehet edhe nga shkresat e lëndës sikurse edhe nga CD që i kam marrë”, kishte thënë Nagavci.

“Sepse në ditën kur kam pas sprej ka qenë në shqyrtim marrëveshja për demarkacionin, në të cilën ne e kemi konsideruar të dëmshëm dhe ashtu u vërtetua edhe më vonë”, kishte thënë tutje ministrja në gjykatë.

Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, akuzohet për veprimet e tij si opozitar gjatë qershorit të vitit 2013, për hedhjen e gurëve, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ku ishin lënduar lehtë katër policë.

Xhelal Sveçla

Në aktakuzën e ngritur në mars të vitit 2014, rezulton se të akuzuar për këtë vepër penale krahas ministri Sveçla janë edhe Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj.

Liburn Aliu

Punë me drejtësinë i ka dalur edhe ministrit Liburn Aliu.

Deri vonë, Aliu ishte i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa kishte shërbyer në komunën e Prishtinës si drejtor.

Me drejtësinë deri tash vonë është përballur edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Liburn Aliu

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezultonte se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017 si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.

Megjithatë, akuzat ndaj Aliut ishin hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e më pas vendimin e kishte konfirmuar edhe Apeli, duke bërë që Aliu të lirohet nga ndjekja penale

Vlen të theksohet se Prokuroria Speciale vitin e kaluar, pas raportimit të Periskopit, ka nisur hetimet për autostradën e Gjilanit ku u “avulluan” 379 mijë euro.

Bëhet fjalë për një kontratë që është duke u realizuar tek ndërtimi i rrugës që njihet si “Autostrada e Gjilanit” e për të cilën ka raportuar Periskopi.

Glauk Konjufca

Përveç ministrave të Kurtit, me aktakuzë të ngritur deri në këto ditët e fundit ka qenë edhe numri 2 i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

Ai ishte i akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

Glauk Konjufca

Aktgjykimi i Konjufcës hapi reagime të shumta pas vendimit që vlerësohej si “skandaloz”, pasi gjykatësja Edita Çanta tha se nuk është provuar se Konjufca ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Në këtë mëynrë, kryetari i Kuvendit u lirua nga akuza për hedhjen e gazit lotsjellës në institucionin ku drejton vetë ai tani. /Periskopi/Enis Rrustemi/

Shpërndaje në: