Minatorët ende në pritje, Bordi i Trepçës: Jemi në komunikim me Qeverinë për ekzekutimin e pagave të muajit qershor
U bën dy muaj që minatorët e ndërmarrjes “Trepça”, në Stan Tërg të Mitrovicës nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor dhe korrik dhe janë në pritje të tyre.
E nga menaxhmeti i Ndërmarrjes “Trepça” dhe Bordi Mbikëqyrës nuk kanë ndonjë datë të saktë se kur do të bëhet ekzekutimi i tyre.
Donika Osmani-Mehmeti zyrtare për Komunikim me Publikun, njëherësh asistente ekzekutive në një prononcim për Telegrafin tha se janë duke u angazhuar që ditëve në vijim të ekzekutohen pagat e qershorit.
“Menaxhmenti i Ndërmarrjes Trepça Sh.A. së bashku me Bordin Mbikëqyrës dhe në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë janë duke u angazhuar që ditëve në vijim të ekzekutohen pagat e muajit qershor”, ka thënë Osmani-Mehmeti.
Qeveria e Kosovës ditë më parë tha se është e “përkushtuar” për të përkrahur ndërmarrjen Trepça, për zhvillim dhe rritje të potencialit ekonomik, por i bëri thirrje menaxhmentit të saj t’i ulë shpenzimet dhe ta rrisë prodhimin.
Në Trepçë punojnë gjithsej 1.200 minatorë, derisa paga mesatare e tyre, është 740 euro.
Në një situatë të ngjashme, minatorët e Trepçës e kanë gjetur veten disa herë edhe gjatë vitit të kaluar.
Në fund të muajit tetor të vitit 2023, për dhjetë ditë me radhë ata qëndruan në grevë brenda minierës pikërisht për shkak të mosrealizimit të pagave dhe ankesave për kushtet e punës.
Produktet kryesore që Trepça prodhon janë koncentratet e plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve të tjera.
Miniera e Stantërgut, që gjendet në rajonin e Mitrovicës, është vendburimi kryesor i nxjerrjes së xehes.