Miftaraj: Gjuha polarizuese dëmton procesin zgjedhor dhe integritetin e partive politike

Miftaraj: Gjuha polarizuese dëmton procesin zgjedhor dhe integritetin e partive politike

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka shprehur shqetësim mbi përdorimin e gjuhës polarizuese nga partitë politike, e cila sipas tij, ka efekt të dëmshëm te qytetarët dhe procesi zgjedhor.

Miftaraj ka theksuar se partitë duhet të fokusohen në elaborimin e programeve për katër vitet e ardhshme dhe të shmangin sulmet, ofendimet dhe linçimet që vetëm e përkeqësojnë situatën.

“Fatkeqësisht kemi një gjuhë shumë polarizuese ku nuk po kursehen jo vetëm individët, partitë politike por po ka efekt fatkeqësisht edhe te qytetarët e Kosovës, në vend që partitë politike të fokusohen në elaboratin e plan programet e tyre për katër vitet e ardhshme, fatkeqësisht më shumë po merren me sulme etiketime e linqime, ofendime të cilat nuk kontribuojnë për të pasur një proces zgjedhor të drejtë të lirë dhe në mënyrë që qytetarët të informohen për atë se çka e pret në katër vitet e ardhshme”, ka deklaruar Miftaraj.

Miftaraj ka përmendur se PZAP-ja po shqipton gjoba për shkelje të rregullave, por disa sjellje të tilla po përsëriten nga partitë.

“PZAP po mundohet që në kuadër të kompetencave, përgjegjësive që u jep ligji për zgjedhjet të shqiptojë gjoba në çdo rast ku ata besojnë dhe janë të bindur që kanë kryer shkelje nga partitë politike. Në anën tjetër po shohim disa sjellje të cilat po gjobiten dhe po përsëriten nga partitë politike. Kjo dëshmon në radhë të parë integritetin e atyre kandidatëve, por edhe vet partisë politike, sepse do të duhej që të mbanin trajnime, të edukonin qoftë kandidatët apo përfaqësuesit e tjerë që të mos bënin sjellje të tilla, të cilat përveç që ndikojnë në buxhetin e partisë do të ndikojnë edhe në polarizimin e qytetarëve. E pamë në Skenderaj si rezultat i kësaj gjuhe të Lëvizjes Vetëvendosje, kishim qytetarë të cilët në mënyrën më të keqe filluan të protestonin apo të pengonin tubimin e VV-së në Skenderaj”, ka theksuar ai për Ekonomia Online.

Ai ka apeluar për një gjuhë më të përgjegjshme, duke thënë se çdo subjekt që ndihet i fyer duhet të paraqesë ankesë në PZAP për të marrë vendime të drejta.

“Do të duhej të ngremë pikëpyetje në lidhje më gjuhën që është duke përdorur në radhë të parë përveç që po akuzon liderët e partive të tjera, po merret me akronime të cilat cenojnë dinjitetin, integritetin e vet e partive të tjera, duke përdor terma të cilët nuk kërkojnë më një demokraci, të cilët aspiron ta ketë Republika e Kosovës. Secili subjekt që vlerëson që përmes gjuhës së tillë mund të jenë subjekt i ofendimit fyerjes, linçimit duhet të inicioj rast në PZAP, dhe në bazë të ligjit shqiptohet vendimi”, tha Miftaraj për Ekonomia Online.

Shpërndaje në: