Mexhiti: Kurti e tha të vërtetën, në Maqedoni të Veriut s’ka ligj të veçantë për gjuhën shqipe
“Kryeministri Kurti e tha të vërtetën”. Kështu është shprehur zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, duke komentuar reagimet e shumta të opozitës shqiptare në RMV, pas deklaratës së kryeministrit kosovar, Albin Kurti, se në Maqedoni nuk ka ligj për gjuhën shqipe.
Mexhiti ka thënë se në Maqedoni nuk ka ligj të veçantë për gjuhën shqipe, por ekziston ligji për gjuhët, dhe brenda parashikohet kuota 20%
“Kryeministri Kurti e ka thënë të vërtetën. Në Maqedoni s’ka ligj për gjuhën shqipe, por ligji i gjuhëve dhe brenda parashikohet kuota 20%. Ajo bashkësi etnike që është mbi 20%, në këtë rast shqiptarët, kanë të drejtë ta përdorin gjuhën shqipe, por titulli i Ligji nuk është për gjuhën shqipe, por është Ligji për gjuhët”, u shpreh Mexhiti për mediat e Maqedonisë.
Për këtë temë gjatë ditës së djeshme reagoi edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Ai tha se kjo është temë artificiale dhe siguroi se gjuha shqipe nuk po rrezikohet.
“Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk është kundër. Kjo është një temë artificiale. Është një temë që po mundohen ta imponojnë”. Kështu deklaroi duke folur për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe për ligjin për gjuhët. Ai theksoi se gjuha shqipe nuk po rrezikohet në këtë shtet.
“Më besoni, këtu nuk bëhet fjalë për shqetësim, askush nuk është kundër gjuhës shqipe, përkundrazi ja unë jam kryetar i Qeverisë, askush nuk është kundër, as në Maqedoni, kjo është një temë artificiale. Kjo nuk është temë e cila dikujt i pengon ose nuk I pengon, kjo është një temë që po mundohen ta imponojnë po këto hije nga e kaluara se nuk kanë temë tjetër, më besoni”, deklaroi Mickoski në RTK.