Metafora e Sarrazinit: S’mund t’i japim dhurata atyre që nuk e duan Babadimrin
Manuel Sarrazin, emisar special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, dje dha një intervistë, ku foli për shumë tema, përfshirë Samitin e Berlinit për CEFTA-n.
Në intervistën për RTK-në, Sarrazin tha se vjen nga një prapavijë politike që është shumë pro Kosovës.
Tutje, Sarrazin e përdori edhe një metaforë interesante, duke thënë se “nuk mund t’i japim dhurata atyre që nuk e duan Babadimrin”.
“Unë vijë nga një prapavijë politike që është shumë pro Kosovës. Ne jemi angazhuar për pavarësinë e Kosovës që nga dita e parë, edhe para vitit 2008 dhe ndoshta e mbani mend edhe angazhimin tim personal kur ka pasur debate për atë këmbimin e territoreve dhe shumë debateve tjera, por duhet ta them qartë se sigurisht se do ta nderojmë flamurin dhe shtetin e Kosovës, sigurisht se do të ftohen të gjithë. Çështjet protokolare do të jenë të njëjta, edhe në darkën e Krishtlindjeve, por nëse duan të marrin pjesë në ato dhuratat e Krishtlindjes, atëherë duhet të marrin vendime. Pra, nuk mund t’i japim dhurata atyre që nuk e duan Babadimrin. Pra, duam ta zhbllokojmë gjithë procesin, jo vetëm të mbajmë një samit sa për sy e faqe. Pra, në njërën anë na duhet Kosova të jetë pjesë e tryezës ose do të vazhdojmë tryezën pa Kosovën. Një mekanizëm të ndërsjellë që do të nënshkruhet pa Kosovën, pra të merren vendime për pesë anëtarë e jo për gjashtë” – ka theksuar Sarrazin.