Messi vjen me një reagim: Pa Kupën e Botës që e arritëm së bashku, do të ishte e pamundur ta fitoja Topin e Artë
Lionel Messi e fitoi mbrëmë Topin e Artë për herë të tetë në karrierë në gala mbrëmjen e mbajtur në Paris të Francës.
Ylli argjentinas ia pa hairin mbi të gjitha Kupës së Botës, e cila ishte vendimtare që t’i ndahej atij çmimi i futbollistit më të mirë të vitit.
36 vjeçari sot e bëri një postim në rrjetet sociale, përmes së cilit i ka falënderuar të gjithë atë që e mbështetën dhe që e ndihmuan për të arritur deri këtu ku është sot.
“Kam vetëm fjalë mirënjohjeje për krejt njerëzit anembanë botës, të cilët më kanë mbështetur aq shumë gjatë karrierës sime dhe të cilëve posaçërisht dua t’ua dedikoj këtë çmim, së bashku edhe familjes sime, e cila ka qenë gjithmonë në anën time”, ka shkruar përfaqësuesi argjentinas në Instagram.
“Ky është një Top i Artë që dua ta ndaj me krejt kolegët e Kombëtares së Argjentinës, me stafin e trajnerëve, me punonjësit. Sepse, pa Kupën e Botës që e arritëm së bashku, do të ishte e pamundur ta fitoja këtë çmim. Urime për të gjithë fituesit dhe faleminderit shumë”, përfundoi kampioni i botës.