Messi, i zhgënjyer nga Laporta: Askush nuk më kërkoi të luaja falas te Barça
Leo Messi, gjatë intervistës për “SPORT” nga shtëpia e tij në Paris, kthehet për të kujtuar largimin nga Barcelona. Gjithashtu tregoi ndjenjat e tij për klubin në të cilin është formuar. Ja dhe episodi që i referohet Barçës.
Nga Barcelona në Paris. Nga “Camp Nou” në “Parce des Princes”. Çfarë ndryshimi, apo jo?
Ishte një ndryshim i madh që, siç thashë në atë kohë, nuk e imagjinoja. Fatmirësisht, tashmë jam sistemuar; fëmijët janë tashmë në shkollë, pak a shumë jemi mësuar me rutinën e përditshme dhe ndihemi të lumtur.
Kanë kaluar dy muaj nga largimi juaj nga Barça. A jeni mësuar me këtë ide?
Kur i shikoj ndeshjet, më bën të ndihem si pjesë e Barcelonës. Më kujtohen gjëra nga ndeshjet në “Camp Nou”, po rijetoj pak nga gjithçka që kisha atje. Tani, siç e thashë, jam më i qetë, kam asimiluar gjithçka në Paris dhe, padyshim, mendoj për gjithçka kam këtu, në rrafshin sportiv dhe familjar. Ne po shijojmë edhe qytetin këtu, i cili është i mrekullueshëm pavarësisht motit.
Laporta komentoi se kishte menduar se do të pranonit të luanit falas tashmë te barça. A do ta kishit bërë, nëse do t’ju kërkohej?
E vërteta është se, siç e shpjegova gjatë lamtumirës, bëra gjithçka që ishte e mundur për të qëndruar. Kurrë, në asnjë moment, nuk më kërkuan të luaja falas. Më kërkuan që të shkurtoja rrogën me 50 për qind dhe e bëra pa asnjë problem. Ne ishim në gjendje ta ndihmonim më shumë klubin. Dëshira ime dhe e familjes ishte të qëndronim në Barcelonë. Askush nuk më kërkoi të luaja falas, por në të njëjtën kohë më duket se fjalët e presidentit nuk janë me vend. Ai më lëndoi, sepse mendoj se nuk kishte nevojë ta thoshte këtë. Është njësoj si të të heq topin dhe të mos marrësh përsipër pasojat e tij. Kjo i bën njerëzit të mendojnë, ose gjeneron një lloj dyshimi që unë mendoj se nuk e meritoj.
A keni folur sërish me Laportën?
Jo.
A do të ktheheni në Barcelonë kur t’ju përfundojë kontrata me PSG-në, pas dy sezoneve?
Nuk e di. Ajo që është pothuajse e konfirmuar dhe e sigurt; ne do të jetojmë përsëri në Barcelonë. Jeta jonë do të vazhdojë atje. Është ajo që dëshiron gruaja ime, edhe ajo që dua unë. Nuk e di nëse kur të mbarojë kontrata ime me PSG, por për të jetuar do të kthehemi në Barcelonë.
Po te Barça?
E kam thënë gjithmonë se do të doja të isha në gjendje ta ndihmoja klubin. Nëse do të jem i dobishëm, nuk do të kursehem aspak. Do të doja të isha sekretar teknik në një moment. Nuk e di nëse do ta mbaj këtë rol te Barcelona apo jo. Ose nëse do të kem një rol ndryshe. Nëse ka mundësi, do të doja të kontribuoja përsëri me atë që mundem, sepse është klubi që dua.
Si e shihni Barçën për momentin? A mendoni se mund të fitojë tituj këtë sezon?
Ka një skuadër të shkëlqyer, luan shumë mirë. E shoh sa herë që mundem. U shfaqën djem të rëndësishëm dhe shumë të mirë, siç ishte Gavi. Në nivel ekipor duket mirë. Kun dhe Dembélé do të jenë ndihmë e madhe për ekipin.
A keni marrëdhënie me ndonjë nga ish-kolegët tuaj?
Po, flas shpesh me Kun Agüero, i cili nuk ishte partner, por është një mik i madh. Me Busin, me Jordi Alba flas shpesh.