Messi: Finalja do jetë ndeshja ime e fundit në Kupën e Botës
Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, thotë se finalja e së dielës do të jetë ndeshja e tij e fundit në Kupën e Botës në karrierë.
Sulmuesi 35-vjeçar e shënoi golin e pestë të Botërorit Katari 2022 dhe i krijoi dy golat e tjerë në triumfin 3:0 kundër Kroacisë të martën mbrëma.
Messi, që po luan në Botërorin e pestë në karrierë, nuk e ka fituar asnjëherë trofeun më të madh në futboll.
“Jam shumë i lumtur që do ta mbaroj rrugëtimin tim në Kupën e Botës me një ndeshje finale, që do ta luaj ndeshjen e fundit në finale. Kjo është vërtet një kënaqësi e madhe”, tha Messi pas ndeshjes.
“Ka shumë vite nga ky Botëror në tjetrin. Nuk mendoj se do të jem në gjendje t’ia dalë. Ta përfundoj në këtë mënyrë është fantastike”, shtoi ai.
Argjentina do të përballet me Francën ose Marokun, të cilat përballen sonte, në finalen e së dielës, në të cilën Messi do ta thyejë rekordin për më së shumti paraqitje, 26, në Kupën e Botës.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Messi e ka fituar Topin e Artë – i cili i jepet lojtarit më të mirë në botë – më së shumti nga të gjithë, shtatë herë, si dhe është shpallur një herë lojtari më i mirë i FIFA-s.
Ai ka fituar edhe çmime të tjera të mëdha, si katër trofe në Ligën e Kampionëve, 11 tituj lige dhe Kupën e Amerikës me Argjentinën në vitin 2021.
Kupa e Botës është lavdia e vetme që i mungon, dhe Messi do ta ketë mundësinë e dytë për ta fituar atë, pas disfatës në finalen e vitit 2014 në kurriz të Gjermanisë.
“Do ta japim më të mirën nga vetja, siç kemi bërë deri këtu, në mënyrë që këtë herë të ndodhë vërtet, ne vërtet duam ta fitojmë atë”, theksoi Messi.
“Shpresoj se njerëzit në Argjentinë po e shijojnë këtë po aq sa ne këtu. Ata nuk duhet të dyshojnë se ne po japim gjithçka nga vetja”, shtoi ai.