Messi arrin marrëveshje në parim, do të marrë pagë 50% më të ulët në kontratën e re me Barcelonën
Lionel Messi arriti t’i dalë në krye sprovës së fundit fundjavën e kaluar, derisa fitoi trofeun e parë me Kombëtaren.
Gjashtë herë ‘Topi i Artë’ udhëhoqi Argjentinën drejt trofeut Copa America, i cili ishte i pari me të me reprezentacionin, transmeton Periskopi.
Sidoqoftë, derisa ai po shpërthente me Argjentinën, e ardhmja e Messit te klubi ishte në dyshim serioz.
Në fakt, ai ka qenë tash e disa javë lojtar i lirë, pasi i skadoi kontrata e tij me Barcelonën.
Fatmirësisht për fansat e klubit, sot u publikua lajmi se Messi është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen e re, e cila duket se do të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo e mëhershmja.
Kjo pasi, sipas ‘Daily Mail’, Messi ka arritur marrëveshje në parim që të marrë pagë me shkurtesë 50%, që i bie se ai do të marrë gjysmën e pagës prej 587 mijë eurove sa merrte dikur.
Besohet se Messi e kupton presionin financiar për shkak të pandemisë dhe dëshiron ta ndihmojë klubin, teksa klauzola e tij liruese do të jetë 375 milionë euro. /Periskopi.com/