Mësoni se si t’i tregoni shefit që keni marrë një tjetër ofertë për punë

Mësoni se si t’i tregoni shefit që keni marrë një tjetër ofertë për punë

Mbase keni marrë një ofertë të re pune nga një punëdhënës tjetër. Gjatë kësaj kohe jeni duke u lëvizur sa poshtë lartë për ta gjetur kohën dhe mënyrën e duhur për t’i treguar shefit aktual dhe, nuk keni guxim. Sidoqoftë, punëdhënësi potencial nuk mund t’ju pres një jetë për të marrë përgjigjen tuaj. Prandaj, mblidhni forcat për t’i treguar shefit që dikush tjetër po kërkon që të punojë me ju!

Mendoni rreth qëllimeve tuaja dhe krijoni strategji

Marrja e një oferte pune nga jashtë nuk do të thotë që duhet me patjetër që ta pranoni dhe të largoheni nga kompania. Ndoshta ajo vjen në një kohë kur jeni në gjendje që ta krahasoni atë me punën aktuale. Edhe nëse nuk jeni intervistuar ende dhe nuk e keni konsideruar seriozisht ofertën, mund të mos e keni ende të qartë nëse e dëshironi me të vërtetë atë pozitë.

Mendoni rreth opsioneve që keni dhe qartësoni se cilat janë qëllimet tuaja të karrierës, përpara se ta lajmëroni shefin. Nëse preferoni që të qëndroni në kompaninë në të cilën jeni, mund ta përdorni këtë si një mundësi për ngritje të pagës ose mundësi të reja brenda kompanisë, për sa kohë që kompania ju vlerëson. E nëse trashmë keni planifikuar që ta pranoni ofertën, atëherë hapi tjetër është ta njoftoni punëdhënësin aktual që po jepni dorëheqje.

Kërkoni takim me shefin

Pasi të keni vendosur se a do ta pranoni ofertën apo ta përdorni atë ofertë për të diskutuar me shefin në lidhje me vlerën që keni në atë kompani, është koha që ta lini një takim me shefin. Më mirë është që ky takim të bëhet ballë për ballë sesa përmes telefonit, por në qoftë se punoni nga shtëpia mund ta bëni edhe me video-konferencë.

Mund t’i përdorni dy javët e fundit për t’i finalizuar dhe deleguar projektet, por edhe që ta trajnoni zëvendësimin nëse keni mundësi. Mos u ndjeni të obliguar për t’i ndarë arsyet e largimit ose ta tregoni emrin e kompanisë që dëshiron t’ju punësojë, titullin e ri, apo vlerën e pagës. Sigurohuni që ta shprehni mirënjohjen për menaxherin për përvojën e punës që e keni marrë gjatë asaj përvoje të punës! Po ashtu njoftoje shefin se cila do të jetë dita e fundit në atë kompani.

Jini pozitivë

Mënyra se si shkoni për ta shpjeguar mundësinë e re do të jap ton pozitiv për përvojën e punës në atë kompani. Edhe nëse qëllimet tuaja janë që të bëni më shumë para, lini punën me një përshtypje të mirë dhe mundësi për të marrë referencë të dobishme sa herë që keni nevojë. Madje, edhe në rastet kur jeni shumë te entuziazmuar që po largoheni, mos e tregoni këtë me veprimet tuaja, por largohuni në mënyrë të denjë!

Është shumë thelbësore që ta shmangni negativitetin në lidhje me kompaninë aktuale, punonjësit dhe shefin, për sa kohë që dëshironi t’i mbani ende hapur dyert e saj. Në vend të kësaj jepni një mesazh të thjeshtë, që keni marrë një ofertë pune, e në bazë që asaj që keni vendosur, jepni të kuptoni që nuk ka kthim prapa ose që ta diskutoni mundësinë për rritje të pagës.

Përgatituni për një ofertë tjetër

Ka shumë mundësi që sapo ta tregoni që dikush tjetër dëshiron që t’ju ketë në kompani, eprori juaj mund t’ju sugjerojë një ofertë tjetër në mënyrë që t’ju mbajë ende. Shefi mund t’ju pyes se cila është paga e re, në mënyrë që ta thotë një pagë konkurruese.

Mendoni edhe njëherë për pikën e parë! Nëse qëllimet i keni për një punë me pagë të madhe, atëherë mbase nuk keni nevojë që të ndryshoni më vend. Por nëse jeni të entuziazmuar për të vazhduar më tutje në mënyrë që të përjetoni mundësi të reja, atëherë do t’ju duhet që ta hidhni poshtë ndryshimin e pagës edhe nëse është më e madhe se ajo që ju kanë ofruar.

Negocioni për rritje

Nëse paga është ajo që po ju intereson, shkoni në takim me shefin me disa hulumtime rreth pagave për pozitën dhe fushën tuaj! (Këtë mund ta bëni me Rroga.com). Mund të vendosni që t’i tregoni shefit se çfarë paga iu kanë ofruar, duke e bërë kështu me dije që jeni të vlerësuar në treg. Thoni atij që dëshironi që të qëndroni në atë kompani, mirëpo t’i ketë parasysh gjetjet që i keni bërë në lidhje me pagën! Nëse ende përgjigja është jo, atëherë e keni në dorë që të vendosni se cila është më e rëndësishme për ju: të qëndroni apo të shkoni.

Dhe çfarëdo që të vendosni, duhet të ndiheni krenar që keni një ofertë pune nga jashtë dhe përdorni atë për ta treguar veten në të ardhmen!

Shpërndaje në: