Mësimet për Kosovën nga paralelja mes Armenisë dhe Serbisë

Mësimet për Kosovën nga paralelja mes Armenisë dhe Serbisë

Shkruan: Agon Maliqi

Armenia para luftës në Ukrainë ishte krejtësisht e varur prej mbrojtjes së Rusisë, aleatit me lidhje të forta historike, në konfliktin e saj thuajse ekzistencial me Azerbejxhanin (dhe Turqinë). Ishte i vetmi vend ish-Sovjetik ku vazhdonte të kishte bazë ushtarake ruse. Në pikat kufitare të Armenisë kishte pjesëtarë të FSB-së ruse. Armenia ishte pjesë e CSTO-së – njëfarë varianti i ligshtë rus i NATO-s. Në Nagorno-Karabah të Azerbejxhanit, paqeruajtësit rus ishin e vetmja mburojë që e parandalonte spastrimin etnik të armenëve prej Azerbejxhanit (i cili vitet e fundit u bë shumëfish më i fuqishëm ushtarakisht).

Pas luftës në Ukrainë, qeveria demokratike e Armenisë e kuptoi se varësia e plotë prej Rusisë ishte strategji e paqëndrueshme dhe e filloi një përafrim me perëndimin. Brenda dy viteve të fundit Armenia u distancua thuajse krejtësisht nga CSTO dhe e largoi FSB-në nga shumë pika kufitare. Ajo e filloi një proces të negociatave me Azerbejxhanin nën ombrellën e BE dhe SHBA dhe po synon ta marrë statusin e kandidatit për BE. Rusia nuk mbeti indiferente ndaj këtyre hapave. Paqeruajtësit rus u tërhoqën dhe e lejuan spastrimin etnik të armenëve nga Nagorno-Karabahu prej Azerbejxhanit.

Lëvizje të ngjashme pas luftës në Ukrainë bëri edhe Serbia. E rrethuar nga NATO në të gjitha anët, Serbia e kuptoi se mbrojtjen nuk ia garantonte më dot Rusia e dalldisur dhe e dobësuar. Ndërkohë që publikisht i mbante balancat dhe i lejonte Rusisë hapësirë veprimi në Serbi si element shantazhi ndaj perëndimit, në prapaskenë Serbia ndërmori hapa konkretë të përafrimit me NATO-n: blerje avionësh nga Franca, shitje e municionit Ukrainës, lidhje e industrive strategjike me perëndimin.

Rusia përgjithësisht u tregua toleruese ndaj kësaj qasjeje për shkak se Serbia vazhdon t’i kryejë asas shumë punë duke qenë bllokuese e integrimit të Ballkanit në NATO dhe BE. Në shumicën e rasteve (si psh. në Banjskë) aktet sabotuese ruse në rajon u bënë në bashkërendim ose me miratim të Beogradit.

Por në momente të caktuara Rusia ka ditur edhe ta kërcënojë dhe ndëshkojë Serbinë për t’ia vizatuar kufijtë e veprimit. Një prej kërcënimeve të vazhdueshme ruse është fati i serbëve në Kosovë. Skenari ideal për Rusinë (dhe rrymat pro-ruse në Serbi) për ta shkatërruar çfarëdo ideje se NATO-ja mund t’i mbrojë serbët në rajon është që serbët të largohen nga Kosova para syve të misionit të NATO-s. Lufta informative ruse në Serbi vazhdimisht flet për spastrim etnik të serbëve nga Kosova dhe NATO – në pamje të parë ky parashimi lexohet si solidaritet, por në gjuhën e mafias ky është edhe kërcënim: “ju pret fati i Nagorno-Karabahut!”

Sulmet ndaj infrastrukturës kritike që nxisin tensione ndëretnike janë instrumente të Rusisë drejt këtij synimi. Shpresat e Rusisë dhe elementeve pro-ruse në Serbi varen te gjetja e budallëve në Kosovë, para së gjithash të serbëve radikalë. Por edhe në mesin e shqiptarëve të dalldisur që këtë skenar e shohin si të dëshirueshëm dhe që përveçse nuk kanë konsiderata humanitare nuk e kuptojnë se Kosova nuk është as Kroacia e vitit 1995 dhe as Azerbajxhani i vitit 2023 (shtete të njohura nga OKB), por varet nga interesat dhe siguria e ofruar prej NATO-s.

Shpërndaje në: