Mësimet nga intervenimi i NATO-s në Kosovë
Njëzet vjet më parë, më 24 mars, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën Operacionin e Forcave Aleate kundër pozicioneve strategjike në Serbi. Fushata bombarduese përfundimisht e ndaloi spastrimin etnik të bërë nga presidenti serb Sllobodan Millosheviq në Kosovë. Kjo lloj përpjekjeje është e rrallë në historinë tonë. Suksesi i saj, sidoqoftë, ofron mësime për ne edhe sot derisa vazhdojmë të përballemi me kriza humanitare të shkaktuara nga luftërat.
Millosheviqi më 1998 e nisi luftën e tij të katërt në ish Jugosllavi, kësaj here duke pasur për qëllim që të adresonte “problemin e tij shqiptar” duke përdorur ushtrinë e tij që t’i dëbonte 60 për qind të popullsisë në Kosovë. Duke marrë mosveprimin evropian dhe amerikan për vite të tëra derisa shumë njerëz ishin vrarë në Bosnjë më herët gjatë dekadës, shqiptaro-amerikanët kishin frikë se historia do të përsëritej në Kosovë. Kështu që, e organizuan veten. Ata bashkuan faksione të ndryshme komunitare, e hapën një zyre në Washington D.C. dhe nisën të angazhoheshin në një prej traditave më të vjetra amerikane – t’i çonin peticioni qeverisë së tyre për të bërë diçka që të ndaleshin vrasjet dhe dhunimet në Kosovë.
Aktivizmi komunitar ishte kritik. Shqiptaro-amerikanët, në tubime, paraqitje televizive, dhe fushata, siguruan një qartësi të vërtetë morale për anëtarët e Kongresit, administratën e Klintonit dhe për publikun. Komuniteti po ashtu kishte shpenzuar mbi një dekadë duke fituar besimin dhe respektin e anëtarëve të zgjedhur.
Ai angazhim komunitar e bëri të mundur që të merrnim mbështetje mbipartiake në Kongres për intervenimin ushtarak gjatë një kohe të vështirë në Shtetet e Bashkuara. Vendi veç sa e kishte përjetuar akuzimin dhe përpjekjen për ta hequr presidentin Bill Clinton. Tensionet mes partive politike ishin të larta. E megjithatë, senatorët Mitch McConnel dhe Joe Biden punuan së bashku me kolegët e tyre senatorë që të mbështetej një intervenim dhe një grup mbipartiak në Dhomën e Përfaqësuesve që përfshinte republikanen nga New Yorku Susan Molinari dhe një prej autorëve të këtij shkrimi [Engelin].
Këta anëtarë kishin vepruar të shtyrë nga raportimet e vazhdueshme të mizorive që kryheshin. Po aq e rëndësishme, sidoqoftë, është se të gjithë e kuptuam se fushata e spastrimit etnik dhe kriza masive e refugjatëve që krijoi, do të kishte pasoja të rënda për gjithë Ballkanin, e më pas edhe për Evropën. Mbi 1,2 milionë refugjatë kosovarë ikën në Shqipëri e Maqedoni, shtetet e varfra fqinje që s’kishin mundësi t’i mbanin. Këto shtete do të shkatërroheshin nëse do të lejonim që spastrimi etnik të vazhdonte. Kriza po ashtu do të çonte në dhunë të shtuar në rajon dhe me refugjatë që do t’ia mësynin Evropës Perëndimore.
Me mbështetjen mbipartiake në Kongres për intervenimin dhe me qartësinë se ishte në interesin tonë si komb që ta bënim, administrata Clinton bëri punën e rëndësishme në përfshirjen e aleatëve tanë të NATO-s. Ata po ashtu në mënyrë aktive ndërmjetësuan negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës. Ne iu bashkuam këtyre bisedimeve në Rambouillet të Francës, ku ishim dëshmitarë të përpjekjeve të çiltra të kosovarëve për të arritur një akord dhe papajtueshmërinë e negociatorëve të ish Jugosllavisë. Millosheviqi po shpresonte që Amerikanët të tërhiqeshin.
Intervenimi ushtarak u bë opsioni i vetëm për përfundimin e dhunës së tmerrshme në Kosovë kur procesi paqësor dështoi. E rëndësishmja ishte se ShBA-të ia dolën që t’i bindnin aleatët e NATO-s që të bashkoheshin. Nga fillimi, Operacioni i Forcave Aleate do të ishte një fushatë e kufizuar. Amerikanët nuk ishin të gatshëm që të dërgonin trupa tokësore. Fushata bombarduese zgjati 78 ditë. Kur mori fund, Beogradi tërhoqi trupat e saj dhe kosovarët u rikthyen në shtëpitë e tyre. Më pas, Millosheviqi do të arrestohej dhe do të dërgohej para drejtësisë në Hague për krime lufte. Kosova do të bëhej, me lidershipin amerikan, një shtet i ri i pavarur e demokratik.
Ndërsa Kosova dhe rajoni përballen me sfida të tjera, mësimet nga Lufta e Kosovës janë të qarta. Angazhimi i komunitetit jopolitik mund ta bëj mbi-partiakizmin të mundshëm, gjë që e mundëson angazhimin e ShBA-ve në mbarë botën. Ai lidership është thelbësor kur rrezikohen interesat tona kombëtare.
Sot, Ballkani është në paqe, demokracia [edhe pse e papërsorur] mbretëron, dhe shumë prej shteteve tanimë i janë bashkuar NATO-s. E gjithë kjo është e vërtetë sepse shumë njerëz në Washington më 1999 kishin kurajën të mendonin jo për partinë por për sigurinë tonë kombëtare.
Përktheu PERISKOPI nga THE HILL.